Tradita që bashkon bashkatdhetarët pranë Liqenit të Breznës
BKT
Kosovë

Tradita që bashkon bashkatdhetarët pranë Liqenit të Breznës

Myrvete Axhami / RTK-Prizren

Pranë Liqenit të Breznës, në një atmosferë festive të mbushur me traditë, është organizuar manifestimi "Dita e Mërgatës 2026".

Ky aktivitet ka mbledhur bashkë mërgimtarë të ardhur nga vendet të ndryshme, banorë të zonës dhe mysafirë të cilët përmes kësaj feste kanë rikthyer kujtimet traditat dhe lidhjen me vendlindjen.

"Për neve është shumë një kënaqësi mezi e presim datën me ardhur në pushim këtë datë të festës, e këtë vit është diçka më shumë vitin e kaluar ishte shumë pak për neve ", ka thënë Enver Kryeziu – bashkatdhetar.

"Pa diasporë pa migracion vështir kisha me përjetua jetën na kanë dhënë një shtysë të madhe na kanë ndihmuar edhe në kohën e luftës edhe para luftës edhe mbas luftës”, ka thënë Samet Krasniqi - banor i zonës.

Organizatorët thonë se përmes këtij manifestimi synohet ruajtja dhe promovimi i traditës, kulturës dhe zakoneve vendore, duke e kthyer Liqenin e Breznës në një vendtakim të përvitshëm për mërgatën.

"Qëllimi i këtij organizimi që ne bashkatdhetarët dhe fshatarët e fshatit Brezne të komunës së Dragashit të kemi një bashkëpunim takime të ndryshme e kështu me radhë", ka thënë Sami Kryeziu - kryetar i shoqatës "Liqeni i Breznës" dega Zvicër

"Qëllimi kryesor është që të bashkohet mërgata bashkë me ne këtu fshati ynë karakterizohet me ikje të mëdha nga vendi kështu që kjo është një aksion shumë i mirë që të jenë bashkë në këtë ditë që do ta quaja ditë tradicionale sepse ka filluar të bëhet çdo vit", ka thënë Ernim Krasniqi - kryetar i shoqatës " Liqeni Breznës" dega Kosovë.

Në një ditë ku ndërthuren tradita e kultura, mërgimtarët thonë se ky manifestim dëshmoi edhe një herë se largësia nuk e zbeh lidhjen me vendlindjen.


MË SHUME NGA Kosovë