Pika strategjike e Karadakut është shndërruar në Parkun e UÇK-së
Zenel Hajrizi / RTK
Pika strategjike e Karadakut është shndërruar në Parkun e UÇK-së. I shtrirë në një lartësi mbi 1 mijë metra, fshati Debelldeh i Vitisë ka pozicionin e kontrollit natyror vizuel mbi korridoret kryesore që lidhin Prishtinën, Shkupin dhe Kumanovën.
I njohur si simbol i rezistencës në brezin kufitar, ky park është projektuar si një pikë investimi ku natyra e maleve të Karadakut ndërthuret me infrastrukturën për vizitorët.
Shkronja flasin për rrugëtimin nga flaka e luftës drejt dritës së lirisë, ku kujtesa dhe e ardhmja takohen, ku heshtja nderon të rënët, ndërsa zëri i brezave dëshmon se liria mbetet amaneti më i shenjtë.
“Bijtë e këtij fshati nuk qëndruan spektatorë të frymëzuar nga heroizmi i komandantit Adem Jashari dhe nga sakrifica e familjes Jashari shumë të rijnë të Debëlldehit iu përgjigjen thirrjes së atdheut”, ka thënë Sabedin Ilazi - kryesues i fshatit Debelldeh.
“Secilën herë kur na kaplon plogështi njerëzore si popull e si komb janë tri shkronja që shqiptarëve ju japin forcë dhe zemër e ato tri shkronja janë shkronjat e UÇK-ë”, ka thënë Valmir Sahiti - drejtor për kulturë rini e sport në Viti.
Në këtë vend, lufta nuk kujtohet për të ushqyer urrejtjen, por për të ruajtur kujtesën, për të çmuar paqen e një populli që besoi në liri.
UÇK-ë ishte kulmimi i të gjitha përpjekjeve shekullore të popullit tonë për liri dhe pavarësi dhe kulmim, rezultoi me lirinë që e gëzojmë sot me mundësitë që i kemi sot si popull, me mundësitë që i kemi si shqiptar.
“UÇK-ë ishte kulmimi i të gjitha përpjekjeve shekullore të popullit tonë për liri dhe pavarësi dhe kulmim, rezultoi me lirinë që e gëzojmë sot me mundësitë që i kemi sot si popull, me mundësitë që i kemi si shqiptar”, ka thënë Ejup Maqedonci – Ministër në detyrë i Mbrojtjes.
“E jo vetëm që ti kemi këto shkronja por ta kemi historinë përpara e cila do të jetë frymëzim përpara për brezat e rijnë në idealin e bashkimit tonë të përbashkët të shqiptarëve”, ka thënë Ahmet Isufi - ish Komandant i UÇK-së.
Ndërsa muzgu i mbrëmjes zbret ngadalë mbi këtë park përkujtimor, tri shkronjat marrin një tjetër dritë, nga kujtesa e një populli dhe qielli merr ngjyrat e fishekzjarrëve, sikur drita përqafon historinë dhe çdo shkëndijë bëhet një përshëndetje për dëshmorët.























