Basha: Ministria financon 1.4 milionë euro për rrugën `Bajram Bahtiri`
K. K. / RTKlive
Ministri në detyrë i Infrastrukturës, Dimal Basha, ka njoftuar se projekti për vazhdimin e rrugës “Bajram Bahtiri” në Prishtinë, me vlerë prej 2.9 milionë eurosh, bashkëfinancohet nga Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit me 1.4 milionë euro.
Sipas Bashës, ekipet e ministrisë kanë konstatuar se në tabelën informuese të punimeve si investitor ishte paraqitur vetëm Komuna e Prishtinës, ndonëse projekti është bashkëfinancuar edhe nga ministria.
Ai bëri me dije se pas reagimit të Ministrisë, tabela është korrigjuar dhe Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit është përfshirë si bashkëfinancuese e projektit.
Basha theksoi se investimet e Qeverisë shtrihen në të gjitha komunat e Kosovës dhe se në çdo projekt të bashkëfinancuar duhet të paraqiten saktë të gjitha institucionet që kontribuojnë financiarisht.
Ai shtoi se raste të tilla nuk duhet të përsëriten, pasi investimet publike nuk ndahen sipas subjekteve politike, por realizohen në shërbim të qytetarëve.
Ministri në detyrë rikujtoi gjithashtu se Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit ka nënshkruar me Komunën e Prishtinës tri marrëveshje për projekte infrastrukturore me vlerë të përgjithshme prej 9 milionë eurosh. Këto përfshijnë ndërlidhjen e rrugës Kolovicë–Sofali, vazhdimin e rrugës “Bajram Bahtiri” me katër korsi dhe kyçjen në rrethin e Lakrishtës.
Sipas tij, nga vlera totale e këtyre projekteve, ministria financon 4.3 milionë euro, ose rreth 47 për qind të investimit, çka, sipas Bashës, dëshmon përkushtimin e Qeverisë për investime në kryeqytet dhe në të gjitha komunat e Kosovës.























