Hapet afati për aplikim për Pagesat Direkte 2026 në Komunën e Vitisë
Sh.G|RTKlive
Komuna e Vitisë ka njoftuar fermerët se Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, përmes Agjencisë për Zhvillimin e Bujqësisë, ka hapur thirrjen për aplikim për Programin e Pagesave Direkte 2026.
Sipas njoftimit të Drejtorisë për Bujqësi, Pylltari dhe Zhvillim Rural, mbështetja financiare përfshin pagesat direkte për qumështin sipas kategorive të cilësisë, viçat për majmëri, akuakulturën, zogjtë për majmëri (brojlerët), si dhe subvencionimin për sasinë e dorëzuar të grurit.
Afati për aplikim ka nisur më 3 gusht dhe do të zgjasë deri më 3 shtator 2026, në ora 16:00.
Drejtoria për Bujqësi fton të gjithë fermerët që plotësojnë kriteret e përcaktuara të aplikojnë brenda afatit, ndërsa informata shtesë për kriteret, dokumentacionin dhe procedurat e aplikimit mund të merren në zyrat e Drejtorisë për Bujqësi në Viti, si dhe në uebfaqet zyrtare të MBPZHR-së dhe Agjencisë për Zhvillimin e Bujqësisë.























