FBK pjesë e projektit për rritjen e sigurisë së fëmijëve në sport
G.K/RTKlive
Federata e Basketbollit e Kosovës është përfshirë në projektin rajonal “Keeping Children Safe in Sports 2.0”, i cili synon të rrisë sigurinë dhe mbrojtjen e fëmijëve në sport, përmes parandalimit dhe reagimit ndaj rasteve të dhunës dhe abuzimit.
Projekti synon të forcojë bashkëpunimin multidisiplinar ndërmjet profesionistëve të sportit dhe akterëve të mbrojtjes së fëmijëve, me fokus në parandalimin, identifikimin e hershëm dhe reagimin ndaj rasteve të dhunës dhe abuzimit në mjediset sportive dhe rekreative.
Në kuadër të projektit, Federata e Basketbollit e Kosovës është pjesë e Bordit Teknik Këshillues, i cili bashkon institucione dhe organizata që veprojnë në fushën e sportit dhe mbrojtjes së fëmijëve.
Përmes projektit do të mbështetet zhvillimi dhe zbatimi i politikave për mbrojtjen e fëmijëve në organizatat sportive në Kosovë, forcimi i kapaciteteve të trajnerëve dhe profesionistëve që punojnë me fëmijë, si dhe zhvillimi i procedurave standarde për referimin e rasteve të mbrojtjes së fëmijëve.
Po ashtu, do të organizohen sesione ndërgjegjësuese dhe edukative me fëmijët dhe prindërit për sigurinë në sport dhe do të promovohet shkëmbimi i praktikave më të mira ndërmjet vendeve partnere.
Federata e Basketbollit e Kosovës ka bërë të ditur se mbetet e përkushtuar për krijimin e një mjedisi të sigurt dhe gjithëpërfshirës për fëmijët që merren me basketboll.























