Mbi 180 vrapues nga mbi 15 shtete në High Scardus Ultra 2026
N.M. /RTKlive
Më shumë se 180 vrapues nga mbi 15 shtete janë regjistruar deri tani për edicionin e pestë të High Scardus Ultra 2026, që do të zhvillohet më 5 shtator në Malet e Sharrit, duke lidhur Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut përmes garave të vrapimit malor.
Organizatorja Uta Ibrahimi tha se gara tashmë është shndërruar në një pikë takimi për komunitetin e trail running dhe dashamirësit e natyrës.
“High Scardus Ultra tashmë është më shumë se një garë. Është një pikë takimi për komunitetin e trail running, outdoor-it dhe të gjithë atyre që e duan malin”, tha Ibrahimi.
Edicioni i sivjetmë përfshin katër gara: Bear Trail 10K, Jelak Trail 20K, Oshlak Skyrace 35K dhe Scardus Ultra 58K, ndërsa Andrra–Marash në Prizren do të shndërrohet në qendrën e aktiviteteve me EXPO VILLAGE dhe CHILL ZONE.
Organizatorët synojnë që përmes këtij eventi të promovojnë sportin, turizmin aktiv, natyrën dhe bashkëpunimin ndërkufitar.
Regjistrimet mbyllen më 29 gusht.























