Mbi 5 mijë nxënësë do t’i nënshtrohen Provimit të Maturës këtë të shtunë
Medina Pasoma / RTKlive
Mbi 5 mijë nxënësë të shkollave të mesme do t’i nënshtrohen Provimit të Maturës këtë të shtunë.
“Ministria e Arsimit dhe Shkencës njofton se, përmes platformës eKosova, kanë aplikuar gjithsej 5,033 kandidatë për Provimin e Maturës, ndërsa pas shqyrtimit dhe verifikimit janë aprovuar 4,967 aplikime. Provimi do të mbahet të shtunën, më 29 gusht 2026, duke filluar nga ora 10:00, në 55 qendra të testimit”, ka njoftuar ministria në facebook.
MASH më tej ka njoftuar komisionarët e administruesit të jenë të pranishëm në qendrat përkatëse një orë para fillimit të provimit, me qëllim të sigurimit të organizimit dhe mbarëvajtjes së procesit.
“Kandidatët duhet të paraqiten në qendrën e testimit përcaktuar në listat përfundimtare dhe të kenë me vete dokumentin përkatës të identifikimit. Për garantimin e një procesi të rregullt, të sigurt dhe të barabartë për të gjithë kandidatët, kërkohet respektimi i plotë i udhëzimeve dhe rregullave të përcaktuara për administrimin e Provimit të Maturës”, vazhdon njoftimi.























