Telaku: Shtatori, tranzicion psikologjik, fëmijëve duhet t’u jepet pavarësi
BKT
Kosovë

Telaku: Shtatori, tranzicion psikologjik, fëmijëve duhet t’u jepet pavarësi

K. K. / RTKlive

Rikthimi në shkollë pas pushimeve verore për shumë fëmijë dhe prindër paraqet një tranzicion psikologjik, pasi nga një periudhë me më pak obligime kalohet sërish në rutinën shkollore. Psikologia klinike Lumnije Telaku, në emisionin “Mirëmëngjesi Kosovë” në RTK, tha se kjo periudhë mund të shoqërohet me stres, ankth dhe vështirësi në përshtatje.

Sipas saj, 1 shtatori nuk duhet parë vetëm si fillim i vitit shkollor, por si një ndryshim i rëndësishëm në rutinën e fëmijëve dhe familjeve.

Telaku theksoi se veçanërisht fëmijët që nisin klasën e parë mund ta përjetojnë më vështirë këtë ndryshim, sidomos ata që nuk kanë pasur përvojë në parashkollor.

“1 shtatori llogaritet si një tranzicion psikologjik”, tha ajo, duke shtuar se fëmijët kalojnë nga një rutinë më e lirë gjatë verës në një periudhë me më shumë obligime dhe përgjegjësi.

Psikologia vuri theks të veçantë te nevoja që prindërit t’i bëjnë fëmijët më të pavarur. Sipas saj, mbrojtja dhe kontrolli i tepruar mund të kenë pasoja negative në zhvillimin e tyre.

Ajo tha se një fëmijë që përgatit vetë çantën, rrobat apo merr përgjegjësi të vogla të përditshme, mund të fitojë më shumë siguri dhe të ketë më pak ankth.

Telaku tha se përdorimi i tepërt i telefonit është bërë një prej sfidave kryesore për prindërit, ndërsa vuri në dukje se edhe prindërit vetë shpesh janë të përfshirë në përdorimin e vazhdueshëm të pajisjeve dhe rrjeteve sociale.

Sipas saj, në vend të qëndrimit të gjatë para ekranit, fëmijët duhet të kenë më shumë aktivitete, shëtitje në natyrë dhe kontakt me librin.

Ajo theksoi gjithashtu rëndësinë e zhvillimit të të menduarit dhe zgjidhjes së problemeve, duke argumentuar se prindi nuk duhet t’ua japë gjithmonë fëmijëve përgjigjet e gatshme.

Telaku tha se jo çdo shqetësim në fillim të vitit shkollor duhet të konsiderohet problem psikologjik. Fëmijëve mund t’u nevojiten disa ditë ose javë për t’u përshtatur me rutinën e re.

Megjithatë, ajo përmendi disa shenja që prindërit duhet t’i marrin seriozisht, si dhimbjet e shpeshta të barkut apo kokës, irritimi i vazhdueshëm, të qarët pa arsye dhe kapja e tepruar pas prindërve.

Sipas saj, nëse këto shenja vazhdojnë për më shumë se dy javë dhe nuk bëhet fjalë vetëm për një periudhë të përkohshme përshtatjeje, atëherë mund të jetë e nevojshme konsultimi me psikolog.

“Te ne është një tendencë që të shtyhet deri ku s’mbahet”, tha Telaku, duke nënvizuar se ende ekziston një lloj paragjykimi ndaj kërkimit të ndihmës psikologjike.

Psikologu në shkollë mund të parandalojë probleme më të mëdha Psikologia klinike e vlerësoi si shumë të rëndësishëm rolin e psikologut në shkolla.

Sipas saj, identifikimi i hershëm i problemeve emocionale, sociale apo të të nxënit mund të parandalojë vështirësi më të mëdha në të ardhmen.

Ajo kërkoi më shumë bashkëpunim mes prindërve, mësimdhënësve dhe psikologëve të shkollës, duke theksuar se problemet e fëmijës duhet të trajtohen në kohë dhe jo të fshihen nga frika e etiketimit.

Telaku tha se nëse një problem identifikohet herët, kjo është në të mirë të fëmijës, familjes dhe shoqërisë.

Duke folur për fëmijët dhe adoleshentët e sotëm, Telaku tha se brezi i ri paraqet sfida të reja edhe për prindërit.

Ajo e cilësoi këtë gjeneratë si një prej sfidave më të mëdha për prindërimin bashkëkohor dhe tha se prindërit duhet të përshtaten me realitetin e ri.

Sipas saj, prindërit duhet të kenë më shumë njohuri dhe të trajnohen për mënyrën se si të komunikojnë me fëmijët, pa humbur autoritetin prindëror.


MË SHUME NGA Kosovë