Nis viti i ri shkollor në Qendrën Edukuese Korrektuese në Lipjan
BKT
Kosovë

Nis viti i ri shkollor në Qendrën Edukuese Korrektuese në Lipjan

V.Th / RTKLive

Në Qendrën Edukuese Korrektuese në Lipjan ka nisur viti i ri shkollor për të miturit, duke shënuar fillimin e një etape të re në procesin e tyre edukativ dhe rehabilitues.

Sipas Shërbimit Korrektues të Kosovës, procesi mësimor këtë vit ka nisur në ambiente të rinovuara dhe të përgatitura nga vetë të miturit, përmes punës praktike dhe aftësimit profesional.

Ky proces është realizuar nën mbikëqyrjen e zyrtarit të lartë për koordinimin e procesit mësimor, Bekim Miftari, dhe me mbështetjen e stafit të QEKL-së.

Fillimin e vitit të ri shkollor e ka uruar edhe ushtruesi i detyrës së drejtorit të Qendrës, Fitim Bërbatovci, i cili u ka dëshiruar të miturve dhe stafit mësimdhënës “një vit të suksesshëm dhe sa më shumë arritje”.

Sipas njoftimit, puna e përbashkët në përgatitjen e ambienteve mësimore “dëshmon rëndësinë e edukimit, aftësimit profesional dhe punës praktike si shtylla të rëndësishme në procesin e risocializimit dhe përgatitjes së të miturve për një të ardhme më të mirë”.


MË SHUME NGA Kosovë