FSK-ja vetëdijëson nxënësit në Dragash për reagimin në situata emergjente
BKT
Kosovë

FSK-ja vetëdijëson nxënësit në Dragash për reagimin në situata emergjente

E.Hoti/RTKlive

Pjesëtarë të Kompanisë së Kërkim-Shpëtimit zhvilluan një ligjëratë vetëdijësuese në Shkollën e Mesme “Ruzhdi Berisha”, duke i informuar nxënësit për mënyrat e duhura të reagimit në raste të fatkeqësive natyrore dhe situatave emergjente.

Sipas njoftimit nga FSK, në kuadër të aktiviteteve për rritjen e vetëdijes dhe përgatitjen e komunitetit për situata emergjente, pjesëtarët e Kompanisë së Kërkim-Shpëtimit zhvilluan një ligjëratë me temën “Vetëdijësimi dhe reagimi në rast fatkeqësie natyrore” në Shkollën e Mesme “Ruzhdi Berisha” në Dragash.

“Gjatë takimit, nxënësit u informuan për mënyrat e duhura të reagimit para, gjatë dhe pas fatkeqësive natyrore, me theks të veçantë te tërmetet, zjarret, vërshimet, rrëshqitjet e dheut, stuhitë dhe situata të tjera emergjente”, thuhet në njoftim.

Përmes këshillave praktike dhe bashkëbisedimit me nxënësit, u theksua rëndësia e ruajtjes së qetësisë, disiplinës dhe gatishmërisë, si dhe respektimi i udhëzimeve të autoriteteve kompetente në raste emergjente.

FSK thekson se aktivitete të tilla synojnë të kontribuojnë në rritjen e kulturës së sigurisë, ndërgjegjësimin e të rinjve dhe forcimin e gatishmërisë së komunitetit për të reaguar në mënyrë të duhur dhe të sigurt, duke mbrojtur jetën dhe pronën në raste fatkeqësish.


MË SHUME NGA Kosovë