Gjilani dhe Istogu përfitojnë mbi 3.6 milionë euro për banim social
BKT
Kosovë

Gjilani dhe Istogu përfitojnë mbi 3.6 milionë euro për banim social

G.K/RTKlive

Ministrja në detyrë e Mjedisit, Fitore Pacolli, ka njoftuar për nënshkrimin e marrëveshjeve të grantit për Gjilanin dhe Istogun, në kuadër të Projektit të Banimit Social Adekuat.

Pacolli bëri të ditur se Gjilani përfiton 2 milionë e 30 mijë euro nga ky projekt.

“Sot, së bashku me kryetarin e Gjilanit, Alban Hyseni, nënshkruam Marrëveshjen e Grantit në kuadër të Projektit të Banimit Social Adekuat”, tha Pacolli.

Sipas saj, me këto mjete do të realizohen 33 njësi banimi.

“Për Gjilanin kemi ndarë 2 milionë e 30 mijë euro, me të cilat do të realizohen 33 njësi banimi: 25 njësi të reja të banimit social, si dhe renovimi i 2 dhe rindërtimi i 6 shtëpive private”, tha ajo.

Pacolli tha se ky investim është një hap konkret për rritjen e stokut të banimit social dhe për ofrimin e kushteve më të mira për familjet që kanë më së shumti nevojë për mbështetje.

Ndërkaq, për Istogun, Pacolli njoftoi se janë ndarë 1 milion e 650 mijë euro për Projektin e Banimit Social Adekuat.

“Sot, bashkë me kryetarin e Komunës së Istogut, Ilir Ferati, nënshkruam Marrëveshjen e Grantit në kuadër të Projektit të Banimit Social Adekuat”, tha Pacolli.

Ajo bëri të ditur se me këtë marrëveshje do të mundësohet renovimi i 55 shtëpive dhe rindërtimi i 5 shtëpive.

“Me këtë marrëveshje, me vlerë 1 milion e 650 mijë euro, do të mundësojmë renovimin e 55 shtëpive dhe rindërtimin e 5 shtëpive, duke përmirësuar drejtpërdrejt kushtet e banimit për 60 familje në nevojë”, tha Pacolli.

“Ky është një investim konkret në dinjitetin dhe mirëqenien e familjeve që kanë më së shumti nevojë për mbështetje nga shteti”, shtoi ajo. 


MË SHUME NGA Kosovë