Rezultate shqetësuese nga PISA 2025 për Kosovën|Video
Valjete Shala /RTK
Kosova vazhdon të përballet me rezultate të ulëta në arsimin parauniversitar. Të dhënat e PISA 2025 tregojnë se nxënësit kosovarë kanë shënuar performancë të dobët në shkencë, lexim dhe matematikë, me rezultate që mbeten kryesisht në nivelin e vitit 2022.
Nga Ministria e Arsimit thonë se rezultatet janë shqetësuese dhe premtojnë ndërhyrje përmes Strategjisë së Re të Arsimit. Kurse ekspertët vlerësojnë se një nga problemet kryesore është mungesa e mësimdhënies që zhvillon të menduarit kritik dhe aftësinë për zgjidhjen e problemeve.
Kosova ka shënuar rezultate jo të kënaqshme në Programin për Vlerësimin Ndërkombëtar të Nxënësve PISA 2025. Rezultatet tregojnë se performanca mesatare e nxënësve të Kosovës në shkencë ka arritur në 357 pikë, lexim 340 pikë, rezultatet këto që kanë mbetur afërsisht në nivelin e vitit 2022. Ndërsa në matematikë, performanca mesatare është edhe më e ulët për 5 pikë në krahasim në të njëjtin vit.
Nga Ministria e Arsimit pranojnë se këto rezultate përbëjnë shqetësim, por premtuan se do të adresohen në Strategjinë e Re të Arsimit.
"Këto rezultate nuk duhet të shihen vetëm si radhitje. Unë besoj se si MASh tash është vetë momenti të bëhemi në hartimin e strategjisë së re dhe të gjitha këto gjetje të PISA-së mund të shndërrohen në aksione konkrete të veprimit në strategjinë e re për strategjinë e arsimit 2027", tha Fatmir Elezi, udhëheqës i Divizionit për Vlerësim, MASh.
Por, sipas rezultateve sipas gjinisë, femrat kanë performuar më mirë se në vitin 2022?
Për njohës të fushës së arsimit, rezultatet tregojnë mungesën e një mësimdhënieje e cila bazohet në të menduarit kritik.
"Te ne, është të mësuarit më shumë motorik dhe memorizues dhe testi PISA thrret në të menduar me logjikë. Këto bie ndesh pa fajin tek nxënësit të një mungese të një mësimdhënie që nxit të një të menduari kritik", theksoi Rinor Qehaja, ekspert i fushës së arsimit.
Edhe drejtues të shkollave theksojnë rëndësinë e forcimit të mendimit kritik.
"Është një shqetësim, është një faktur që fatkeqësisht i atribuohet mësimdhënësve, por këtu nuk janë përgjegjës vetëm mësimdhënësit, por duhet një angazhim më i madh kolektiv", pohoi Visar Osmani, drejtor i shkollës "Emin Duraku".
Ndërsa, Këshilli i Prindërve ka kërkuar ndryshimin e disa teksteve shkollore.
"Kuptohet që Historia nuk mund të merret, se ka të bëjë me rrethanat tona, edhe nuk mund të merret Gjuha Shqipe, po ashtu nuk mund të merret, por këtë të tjerat të merren nga vendet e zhvilluara, qoftë Anglia, qoftë Finlanda, Norvegjia ose kudo që qoftë ose Singapori, edhe të bëhet përkthimi i tyre dhe të mësojnë me ato tekste", theksoi Besnik Dragusha, kryetar i Këshillit të Prindërve.
Rezultati i gjetjeve të testit PISA 2025 sugjeron se fokusi i ndërhyrjeve duhet të jetë në rritjen e cilësisë së të nxënit, zhvillimit të aftësive të aplikuara në matematikë, shkencë dhe lexim, veçanërisht aftësive për të menduar në mënyrë kritike, për të zgjidhur probleme dhe për të zbatuar njohuritë në situata të jetës reale.























