Kabllot elektrike mbulojnë Prishtinën|Video
Besjana Mulaj /RTK
Kabllot e shumta të vendosura mbi shtylla dhe mes ndërtesave po vazhdojnë të jenë pjesë e pamjes së kryeqytetit, duke ngritur shqetësime edhe për sigurinë e qytetarëve. Në disa rrugë, telat janë të vendosur shumë ulët, ndërsa në zona të tjera shtyllat e vjetra vazhdojnë të përdoren për bartjen e kabllove. Komuna e Prishtinës thotë se po kërkon nga KEDS-i përshpejtimin e procesit të futjes së rrjetit nëntokë.
Kabllot elektrike të vendosura nëpër shtylla janë pothuajse në çdo rrugë e lagje të Prishtinës.
Pa u llogaritur rreziku elektrik dhe pa u kursyer aspak pamja urbane, dhjetëra tela janë vendosur nga një shtyllë në tjetrën. Madje, në qendër të kryeqytetit, kabllot shtrihen nga një ndërtesë në tjetrën.
Nga zyrtarët kompetentë thuhet se rrjeti elektrik në qendër të kryeqytetit është nëntokësor. Por, në rrugën "Rexhep Luci", kabllot elektrike janë aq të ulëta sa për pak prekin kokat e qytetarëve.
Ndërkaq, në rrugën "UÇK" janë vendosur shtylla të reja ndriçimi, por shtyllat e vjetra janë lënë në vend për të mbajtur kabllot elektrike.
Qytetarët shprehen të pakënaqur me këtë situatë dhe thonë se kabllot paraqesin rrezik për ta.
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, thotë se Komuna është në pritje që ky proces të realizohet nga KEDS-i.
"Ne po bëjmë presion tek KEDS-i që këto kabllo elektrike të futen nën tokë, sepse në shumë pjesë të kryeqytetit ekziston infrastruktura. Në disa lagje të qendrës tashmë ka ndodhur kjo, kabllot elektrike janë futur nën tokë dhe do ta vazhdojmë me presion që ta bëjmë Prishtinën pa kabllo", tha ai.
Përmes një përgjigjeje me shkrim, zyrtarët për informim nga KEDS-i kanë thënë se në kryeqytet rrjeti i tensionit të mesëm është nëntokësor, ndërsa punimet për rrjetin e tensionit të ulët po realizohen në kuadër të planit investiv të miratuar nga ZRRE-ja.
Deri më tani, këto punime kanë përfunduar në disa lagje të Prishtinës, përfshirë Pejtonin, Xhemajl Ibishin dhe një pjesë të Hajvalisë.
Ndërkohë, nga KEDS-i kanë bërë të ditur se para sezonit të dimrit pritet të finalizohet edhe projekti në lagjen Velania.























