Përfundon çminimi i Gorozhupit dhe Gjocajt me mbështetjen japoneze
BKT
Kosovë

Përfundon çminimi i Gorozhupit dhe Gjocajt me mbështetjen japoneze

Islam Haxhiu/ RTK

Në përmbyllje të projektit për çminimin e zonave Gorozhup të Prizrenit dhe Gjocaj të Junikut, të përkrahur nga ambasada japoneze dhe populli japonez e të realizuar nga “Halo Trust” në Gjakovë është organizuar dialog me përfituesit e këtij projekti. I ngarkuari me punë në ambasadën e Japonisë, Hiroyasu Tanigaki, tha se ky projekt i financuar nga populli japonez ka për qëllim që popullit të Kosovës t’i mundësojë siguri dhe qasje të lirë në pronat e tyre.

“Për shumë vite ambasada e Japonisë në Kosovë ka punuar me shumë organizata të çminimit në Kosovë siç është rasti me “Halo Trust” në mënyrë që komunitetit të Kosovës t’u mundësojë lëvizje të lirë dhe qasje sa më të mirë në pronat e tyre. Prandaj me këtë rast dua të shpreh falënderimet tona edhe për bashkëpunëtorët tonë, sidomos për ekipet e çminimit të cilat përgjatë gjithë kësaj kohe ishin në teren dhe bënë një punë të madhe në çminimin e terrenit”, tha Hiroyasu Tanigaki, i ngarkuari me punë në ambasadën e Japonisë në Prishtinë.

Ndërkaq udhëheqësit e ekipeve për çminim në zonat e lartpërmendura kanë shprehur mirënjohjen më të lartë për popullin japonez që nga përfundimi i luftës në Kosovë.

“Me fondet e tyre dhe punën e palodhshme të ekipeve tona e kanë bërë të mundur pastrimin e këtyre dy fushave të cilat ishin të afektuara nga minat që nga koha e luftës 98 -99. Këto dy zona janë pikërisht në zonën kufitare që na lidh me Shqipërinë, Gorozhubi në anën e Pashtrikut ndërsa Gjocaj nga pjesa e Koshares”, tha Egzon Ndrecaj, udhëheqës për deminim në “Halo Trust” Gjakovë.

” Në ato vende ku jetojmë dhe punojmë është kthyer besimi i madh sepse nuk ekzistojnë më fusha me mina në fshatin Gorozhub ku Halo Trust ka punuar dhe ka bërë deminimin e fushave të minuara. Falenderova poashtu përfaqësuesin e ambasadës japoneze për kontributin e dhënë me mjetet e tyre dhe të popullit japonez”, tha Shani Tanaj, udhëheqës i komunitetit lokal në Gorozhub.

Populli japonez përmes ambasadës së tyre në Prishtinë, që nga përfundimi i luftës në Kosovë ka financuar shumë projekte madhore, jetike për qytetarët e saj. “Halo Trust” është vetëm njëra nga shumë organizata që tash e 27 vjet është mbështetur nga kjo ambasadë.


MË SHUME NGA Kosovë