Nga një koshere në mbi 200, bletaria po lulëzon në Junik|Video
Islam Haxhiu/RTK
Në Junik, rrëzë Bjeshkëve të Nemuna, bletaria po shndërrohet gjithnjë e më shumë në një veprimtari të qëndrueshme për familjet lokale. Kushtet e favorshme natyrore dhe tradita e trashëguar po nxisin banorët të rrisin bletishtet, duke e kthyer këtë aktivitet edhe në një burim të rëndësishëm të të ardhurave.
Veprimtarinë e bletarisë e nisi me vetëm një koshere bletësh, ndërsa sot bletishtja e tij numëron më shumë se 200 koshere. Ky është bletari Muharrem Gacaferi nga Juniku, veteran dhe invalid i luftës së UÇK-së, i cili këtë veprimtari e ushtron me përkushtim të veçantë.
“Prej asaj një koshere kemi ardhur deri këtu, tash i kemi rreth 200. Është një përfitim dhe një punë e mirë. Nëse e do me vullnet e me zemër, është mirë të merresh me bletari, sepse edhe bletaria merret me ty. Jam i kënaqur, kohë kam. Shumë janë për një person, por unë punoj bashkë me bashkëshorten. Nganjëherë vijnë edhe familjarët nga Gjermania dhe më ndihmojnë, sidomos gjatë sezonit. Edhe me vëllezërit, gjatë vjeljes së mjaltit, ndihmojmë njëri-tjetrin. Të gjitha të mirat i kemi në këtë Kosovë, veç lumturinë ta kemi edhe më të madhe dhe ta duam vendin edhe më shumë”, tha Muharrem Gacaferi, bletar.
E Mustafë Gacaferi thotë se që 30 vjet merret me bletë.
"Deri këtu ka qenë shumë mirë, edhe babait, kur është marrë me to, i kanë shkuar mirë. Tani e tutje, ishalla edhe më mirë. Po vijnë edhe nga jashtë për të na ndihmuar kur kemi nevojë. Me mjaltë kemi qenë mirë sivjet, me akacie e me gështenjë, ndërsa më pas i kemi çuar edhe në bjeshkë”, tha ai.
Përfitimet nga bletaria janë të shumta. Në bletishten e Muharremit takuam edhe vajzën e tij, Agnesën, e cila ndodhet për pushime në vendlindje dhe po i ofron fëmijës së saj një terapi të njohur si apiterapi.
“Kjo njihet si apiterapi, ku ajri vjen përmes kosheres së bletëve dhe mund të ketë përfitime të ndryshme. Megjithatë, para se të bëhet kjo terapi, duhet patjetër të konsultohet mjeku. Tani kemi disa koshere nga bjeshkët dhe vajza po e inhalon ajrin, pasi ka pak problem me bronkit. Kjo terapi përdoret edhe për probleme të ndryshme të frymëmarrjes, për bajamet dhe shqetësime të tjera. Ka shumë përfitime”, thekson Agnesa Gacaferi-Krasniqi.
Komuna e Junikut, e shtrirë rrëzë Bjeshkëve të Nemuna, ofron kushte të favorshme për zhvillimin e bletarisë. Prandaj, vitet e fundit gjithnjë e më shumë po rritet interesimi për këtë veprimtari, e cila përveçse ruan një traditë të vjetër, mund të jetë edhe burim i mirë i të ardhurave për familjet.























