Kryetari i Fushë Kosovës në vizitë zyrtare në Zvicër
BKT
Kosovë

Kryetari i Fushë Kosovës në vizitë zyrtare në Zvicër

E.Hoti/RTKlive

Kryetari i Komunës së Fushë-Kosovës, Valon Prebreza, së bashku me kabinetin e tij, zhvilloi një varg takimesh institucionale në kantonin e Vaud-it dhe në rajonin e Chablais-it.

Në Komunën e Aigle, delegacioni u takua me kryetarin e Komunës, Grégory Devaud, prefektin e Distriktit të Aigle, Nicolas Croci Torti, drejtorin teknik të transportit dhe ekipet përkatëse, me të cilët u diskutua për planifikimin urban, hapësirat publike, shërbimet komunale dhe organizimin e administratës.

“Gjatë vizitës në Satom SA, delegacioni u mirëprit nga përgjegjësi i rrjetit të ngrohjës, bashkatdhetari Mentor Ilazi dhe pati mundësi të njihet nga afër me modelin e bashkëpunimit ndërkomunal në menaxhimin e mbeturinave dhe shndërrimin e tyre në burim energjie”, thuhet në njoftim.

Sipas kësaj komune, vizita përbën një hap të parë drejt ndërtimit të një bashkëpunimi institucional afatgjatë ndërmjet Komunës së Fushë-Kosovës dhe Komunës së Aigle, me fokus në shkëmbimin e përvojave dhe praktikave të mira.

“Një pjesë e rëndësishme e vizitës ishte edhe takimi me bashkatdhetarët dhe sipërmarrësit shqiptarë në Zvicër, të cilët përmes punës, përkushtimit dhe suksesit të tyre vazhdojnë të jenë një urë e rëndësishme lidhëse mes Kosovës dhe diasporës”, thuhet në njoftim.

Komuna e Fushë Kosovës ka theksuar se mbetet e hapur për bashkëpunim, investime dhe kontributin e mërgatës në zhvillimin e komunës.


MË SHUME NGA Kosovë