KRU “Prishtina” intensifikon kontrollet në Podujevë
Sh.G|RTKlive
KRU “Prishtina” ka intensifikuar kontrollet në terren në komunën e Podujevës, me fokus në identifikimin e konsumatorëve me borxhe dhe të kyçjeve ilegale në rrjetin e ujësjellësit.
Sipas njoftimit të kompanisë, ekipet e inspektimit do të zhvillojnë kontrolle në zona të ndryshme të Podujevës, ndërsa konsumatorët që kanë obligime të papaguara janë këshilluar që t’i shlyejnë borxhet për të shmangur ndërprerjen e furnizimit me ujë dhe masat e tjera të parapara.
KRU “Prishtina” ka rikujtuar gjithashtu se çdo ndërhyrje apo kyçje e paautorizuar në rrjetin e ujësjellësit është e kundërligjshme dhe mund të pasohet me masa përkatëse.
Kompania u ka bërë thirrje konsumatorëve që të respektojnë obligimet e tyre dhe të mos ndërhyjnë në rrjetin e furnizimit me ujë.























