UP zgjeron bashkëpunimin me partnerët nga Tajvani
BKT
Kosovë

UP zgjeron bashkëpunimin me partnerët nga Tajvani

E.Hoti/RTKlive

Universiteti i Prishtinës synon të zgjerojë bashkëpunimin me institucionet akademike dhe teknologjike nga Tajvani, veçanërisht në fushën e gjysmëpërçuesve dhe teknologjive të avancuara.

Në Rektoratin e Universitetit të Prishtinës u prit një delegacion i Zyrës Përfaqësuese të Taipeit në Hungari, me të cilin u diskutuan mundësi konkrete për zhvillimin e bashkëpunimit në arsim, kërkim shkencor dhe inovacion.

Takimi pasoi punëtorinë GCTF 2026, të organizuar në bashkëpunim me Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike. Në këtë aktivitet u diskutua për zinxhirët kritikë të furnizimit, qendrat logjistike dhe mundësitë e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve publike, universiteteve dhe sektorit privat.

Rektori i Universitetit të Prishtinës, Arben Hajrullahu, tha se është duke u rritur numri i studentëve kosovarë që ndjekin trajnime në fushën e gjysmëpërçuesve në institucionet e arsimit të lartë dhe kërkimit në Tajvan.

“Rektori Hajrullahu propozoi që, në kuadër të hapave të ardhshëm të bashkëpunimit, studentët ta sjellin në Kosovë përvojën e fituar dhe që kjo përvojë të ndërlidhet me aktivitete kërkimore, inovative dhe ekonomike që mund të zhvillohen në vendin tonë. Gjithashtu, u diskutua mundësia e krijimit të një qendre kërkimore për gjysmëpërçues në kuadër të Universitetit të Prishtinës”, tha Hajrullahu.

Përfaqësuesi i Zyrës së Taipeit në Hungari, Elliot Wang, shprehu gatishmërinë për konkretizimin e nismave të diskutuara, përfshirë edhe shkëmbimin e profesorëve.

Universiteti i Prishtinës tashmë bashkëpunon me Universitetin Nacional të Tajvanit dhe Universitetin Nacional Sun Yat-Sen, kryesisht në shkëmbimin e studentëve dhe përvojave akademike.

Ndërkaq, në korrik të këtij viti, 15 studentë të Fakultetit të Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike morën pjesë në trajnime për gjysmëpërçues dhe çipa në tri institucione të arsimit të lartë në Tajvan, në kuadër të Programit të Bursave Tajvan-Evropë.


MË SHUME NGA Kosovë