FSK-ja dhe Ushtria Britanike zhvillojnë ndeshje miqësore futbolli
G.K/RTKlive
Në kuadër të bashkëpunimit dhe partneritetit ndërmjet Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe Ushtrisë së Mbretërisë së Bashkuar, është zhvilluar një ndeshje miqësore futbolli ndërmjet ekipeve të të dyja forcave.
Sipas FSK-së, aktiviteti ka filluar me intonimin e himneve shtetërore të Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar.
“Përtej garës sportive, ndeshja ishte një mundësi për pjesëtarët e të dyja forcave që të takohen në një atmosferë miqësore, të forcojnë raportet ndërpersonale dhe të shkëmbejnë përvoja përmes sportit”, thuhet në njoftimin e FSK-së.
FSK-ja ka theksuar se sporti mbetet një mënyrë për të ndërtuar ura bashkëpunimi, për të promovuar respektin e ndërsjellë dhe për të forcuar lidhjet ndërmjet partnerëve.
Ndeshja përfundoi me rezultat 2:1 në të mirë të Ushtrisë Britanike.
“Pavarësisht rezultatit 2 me 1 në të mirë të ushtrisë britanike, kjo ndeshje miqësore dëshmoi edhe një herë se bashkëpunimi, respekti dhe miqësia janë vlera që tejkalojnë fushën sportive dhe kontribuojnë në forcimin e partneritetit ndërmjet FSK-së dhe Ushtrisë së Mbretërisë së Bashkuar”, thuhet në postimin e FSK-së.























