Mbi 6 mijë aplikime për konvikte, rreth 2 mijë studentë mbesin jashtë
BKT
Kosovë

Mbi 6 mijë aplikime për konvikte, rreth 2 mijë studentë mbesin jashtë

Qendresa Duraku / RTK

Mbi 6 mijë studentë kanë aplikuar në Qendrën e Studentëve, ndërsa në dispozicion janë vetëm 4 mijë shtretër. Sipas drejtuesve të Qendrës, kapacitetet e reja parashikohet të shtohen në kuadër të përgatitjeve për Lojërat Mesdhetare 2030.

Mijëra studentë në Kosovë kanë aplikuar këtë vit për ta siguruar një vend në konviktet studentore.

Por, kapacitetet aktuale nuk mjaftojnë për të gjithë. Afati për aplikim është shtyrë deri të hënën në mesnatë, pas kërkesave të studentëve që nuk kishin arritur të aplikonin me kohë.

"Qendra e Studentëve ka kapacitetin rreth 4 mijë studentë pranues apo 4 mijë shtretër. Aplikimin e kemi shtyrë deri sot e hëne deri në orën 12 të natës për shkak se ka pas shumë kërkesa të studentëve të cilët nuk kanë pasur mundësi të aplikojnë deri më sot. Aplikimi është rreth 6 mijë student, deri tash fatkeqësisht mbesin 2 mijë student jashtë”, ka thënë Ekrem Rudari, drejtor i Qendrës së Studentëve.

Sipas Qendrës së Studentëve, një student paguan 20 euro në muaj për qëndrimin në konvikt, ndërsa ushqimi në mensë kushton 15 euro në muaj. Për ata që nuk sigurojnë një vend në konvikte,

Qendra e Studentëve thotë se mbetet në dispozicion shërbimi i mensës.

Përzgjedhja e studentëve bëhet përmes një sistemi pikësh. Ndër kriteret janë distanca nga vendbanimi, nota mesatare dhe kategoritë e veçanta sociale.

"Është largësia, nota mesatare, fëmijë i familjeve dëshmore, veteranit, rastet sociale, i burgosur politik, këto kritere i kemi pas. Tash e kemi shtuar edhe një kriter këtë vit që nëse nuk i ka 2 prindërit, një fëmijë i merr edhe 5 pikë shtesë."

Zgjidhja afatgjate pritet të vijë me rritjen e kapaciteteve. Në kuadër të përgatitjeve për Lojërat Mesdhetare 2030, Qendra e Studentëve pritet të zgjerohet me mbi 1 mijë shtretër. Me ndërtimin e tri konvikteve të reja, kapaciteti i përgjithshëm pritet të arrijë në rreth 5 mijë shtretër. Por, për studentët që aplikojnë këtë vit, përgjigjja do të vijë më 25 shtator, kur pritet të publikohen rezultatet e përzgjedhjes.


MË SHUME NGA Kosovë