Inspektorati ndalon punimet në gjashtë objekte ndërtimi
Sh.Ç/RTKlive
Inspektorati Qendror i Punës ka ndaluar përkohësisht punimet në gjashtë objekte ndërtimi, pas inspektimeve ku janë evidentuar parregullsi lidhur me sigurinë dhe shëndetin në vendin e punës.
Sipas Inspektoratit, kontrollet janë zhvilluar në tri objekte në Komunën e Prishtinës, dy në Komunën e Mitrovicës dhe një në Komunën e Pejës.
Gjatë inspektimeve janë konstatuar mangësi në marrjen e masave të nevojshme për garantimin e sigurisë së punëtorëve. Për këtë arsye, Inspektorati Qendror i Punës ka nxjerrë vendime për ndalimin e përkohshëm të punimeve në këto objekte.
Punimet do të mund të rifillojnë pas eliminimit të të gjitha mangësive të evidentuara dhe krijimit të kushteve të sigurta për zhvillimin e punës.
Inspektorati Qendror i Punës ka bërë të ditur se do të vazhdojë mbikëqyrjen e zbatimit të legjislacionit të punës, ndërsa u ka bërë thirrje punëdhënësve që të respektojnë standardet e sigurisë dhe shëndetit në punë.
Institucioni ka theksuar se zbatimi i këtyre standardeve është i rëndësishëm për parandalimin e aksidenteve dhe garantimin e një mjedisi të sigurt për punëtorët.























