Japonia financon renovimin e shkollës “Dr. Ibrahim Rugova” në Obiliq
BKT
Kosovë

Japonia financon renovimin e shkollës “Dr. Ibrahim Rugova” në Obiliq

G.K/RTKlive

Ambasada e Japonisë në Kosovë ka organizuar të mërkurën ceremoninë e dorëzimit të projektit për renovimin e Shkollës Fillore dhe të Mesme të Ulët “Dr. Ibrahim Rugova” në Komunën e Obiliqit, të realizuar në kuadër të Programit të Granteve për Projektet Bazë në Nivel Lokal (GGP) të Qeverisë së Japonisë.

Sipas Ambasadës së Japonisë, projekti është financuar me një grant prej 67 mijë e 122 eurosh dhe synon të rrisë sigurinë e nxënësve dhe të përmirësojë kushtet për mësim.

Në kuadër të projektit janë riparuar dyshemetë e 19 klasave, muret e 25 klasave dhe dyshemeja e sallës së sportit.

“Përafërsisht 1,450 nxënës dhe anëtarë të stafit që ndjekin mësimet në këtë shkollë dhe përdorin sallën e sportit pritet të përfitojnë nga ky projekt”, thuhet në njoftimin e Ambasadës.

Në ceremoninë e dorëzimit morën pjesë i Ngarkuari me Punë i Ambasadës së Japonisë në Kosovë, Hiroyasu Tanigaki, kryetari i Komunës së Obiliqit, Halil Thaçi, drejtoresha e Arsimit në këtë komunë, Sevdije Berisha Krasniqi, drejtoresha e shkollës, Fatmire Mjekiqi, si dhe zyrtarë komunalë dhe staf i shkollës.

Tanigaki tha se projekti synon ta bëjë shkollën më të sigurt dhe të ofrojë një mjedis më të mirë për të nxënit.

Ai shprehu shpresën që nxënësit “do t’i shijojnë dhe do të kujdesen mirë për hapësirat e renovuara”, ndërsa theksoi se ky është projekti i parë i GGP-së në Komunën e Obiliqit.

Sipas tij, ky bashkëpunim e afron Japoninë më shumë me komunitetin dhe kontribuon në forcimin e mëtejshëm të miqësisë ndërmjet Japonisë dhe Kosovës.

Ambasada ka bërë të ditur se përmes programit GGP, Japonia mbështet organizatat joqeveritare dhe institucionet publike lokale në adresimin e nevojave për zhvillim socio-ekonomik, kryesisht në fushat e shëndetësisë, arsimit, mjedisit dhe mirëqenies sociale.

Në Kosovë, Japonia e ka zbatuar këtë skemë edhe para shpalljes së pavarësisë. Sipas Ambasadës, deri më tani përmes GGP-së janë ofruar 4 milionë e 445 mijë e 215 euro për 67 projekte në të gjithë Kosovën. 


MË SHUME NGA Kosovë