“Halo Trust” përmbyll pas 27 vjetësh misionin e deminimit në Kosovë |Video
BKT
Kosovë

“Halo Trust” përmbyll pas 27 vjetësh misionin e deminimit në Kosovë |Video

Islam Haxhiu / RTK

Halo Trust përmbyll misionin 27-vjeçar të deminimit në Kosovë. Falë punës së kësaj organizate, që nga përfundimi i luftës në Kosovë janë pastruar mbi 19 milionë metra katrorë dhe janë shkatërruar mbi 40 mijë mbetje të luftës.

Pas 27 vitesh punë në pastrimin e zonave të minuara dhe të rrezikuara nga mjetet shpërthyese, organizata ndërkombëtare “Halo Trust” ka përmbyllur aktivitetin e saj në Kosovë.

Halo Trust, me seli në Gjakovë, ishte e angazhuar në deminimin e terrenit dhe krijimin e hapësirave më të sigurta për banorët e prekur nga pasojat e luftës.

Krahas punëtorëve të kësaj organizate, të pranishëm në këtë aktivitet ishin edhe përfaqësues të institucioneve vendore e ndërkombëtare, si dhe donatorë të këtij projekti 27-vjeçar.

“Sot qëndroj para jush me krenari të madhe, si një alpinist që kthen kokën pas për të parë se sa larg kemi udhëtuar dhe mahnitet me lartësinë që kemi arritur tashmë. Të gjithë i kujtojmë pasojat e konfliktit të armatosur, 800 mijë civilë të zhvendosur, kthimin e tyre në tokat e kontaminuara dhe nivelin e paimagjinueshëm të viktimave që pasoi, me 160 të vrarë dhe të plagosur vetëm gjatë muajit të parë, ku për fat të keq më shumë se 70 për qind e tyre ishin fëmijë”, deklaroi Simon Tiller, drejtues i partneritetit evropian.

“Japonia ndihet e nderuar që ka kontribuar në këtë përpjekje të përbashkët. Kjo mbështetje është pjesë e përpjekjes më të gjerë ndërkombëtare për avancimin e aksionit humanitar kundër minave në Kosovë. Gjithashtu, vlerësojmë lart kontributin e Zvicrës, si dhe partnerëve dhe donatorëve të tjerë në këtë përpjekje të përbashkët”, tha Mori Tanigaki, i ngarkuari me punë në Ambasadën e Japonisë në Prishtinë.

“Ne kemi pasur një bashkëpunim të shkëlqyeshëm me organizatën Halo Trust që nga viti 1999. Pra, është një storie e suksesit. Ka ndihmuar shumë, qe 27 vjet kanë qenë aktivë duke pastruar zonat e minuara, duke mundësuar punësimin e stafit lokal, që sot kemi ekspertë që punojnë edhe në Kosovë, edhe nëpër botë falë kësaj organizate, si dhe duke ndihmuar në zhvillimin ekonomik të Kosovës. Sepse të gjitha tokat që janë pastruar nga Halo Trust janë kthyer te bujqit e janë shfrytëzuar për bujqësi dhe turizëm”, deklaroi Ahmet Sallova, drejtor i Qendrës së Kosovës për Deminim.

“Jemi krenarë me atë që kemi arritur për 27 vite, por gjithashtu është edhe pak pikëlluese sepse mbyllet një program pas 27 viteve, ku kemi qenë si familje e ku janë pastruar mbi 19 milionë metra katrorë dhe janë shkatërruar mbi 40 mijë mbetje të luftës. Por gjithashtu, kjo punë nuk do të ishte e mundur të bëhej pa ndihmën e jashtëzakonshme të donatorëve, të cilët dua t’i falënderoj në emër të stafit tonë, por edhe në emër të personave të prekur, komunave dhe fshatrave ku ne kemi punuar”, tha Egzon Ndrecaj, udhëheqës për deminim në “Halo Trust” Gjakovë.

Përfundimi i misionit shënon një kapitull të rëndësishëm në përpjekjet shumëvjeçare për pastrimin e territorit të Kosovës nga mjetet shpërthyese dhe për kthimin e tokave të sigurta në përdorim të banorëve të saj. 


MË SHUME NGA Kosovë