Ushtrim simulues për evakuim dhe reagim ndaj zjarrit në një shkollë në Ferizaj
V. Th. / RTKLive
Në SHFMU “Tefik Çanga” në Ferizaj është zhvilluar një ushtrim simulues për evakuim dhe reagim në rast zjarri, me pjesëmarrjen e Policisë, Brigadës së Zjarrfikësve dhe institucioneve të tjera përgjegjëse.
Ushtrimi është realizuar më 23 shtator, me qëllim të rritjes së sigurisë dhe vetëdijesimit të nxënësve dhe stafit të shkollës, si dhe forcimit të gatishmërisë dhe bashkëpunimit institucional në situata emergjente.
Në aktivitet morën pjesë nxënësit e klasave të teta, drejtoria dhe stafi i shkollës, mësimdhënësit dhe stafi teknik, si dhe ekipet e institucioneve emergjente.
Në kuadër të ushtrimit u përfshinë Policia e Ferizajt, Brigada e Zjarrfikësve, ekipet e urgjencës mjekësore, Drejtoria e Shërbimeve Publike dhe Emergjencave, Kryqi i Kuq, Drejtoria e Arsimit dhe institucione të tjera relevante.
Sipas Policisë Rajonale të Ferizajt, ushtrime të tilla kontribuojnë në përgatitjen e nxënësve dhe stafit për reagim të shpejtë dhe të koordinuar në raste emergjente.
Policia thekson se siguria në institucionet arsimore është përgjegjësi e përbashkët, ndërsa bashkëpunimi ndërinstitucional dhe përgatitja paraprake janë thelbësore për një reagim profesional në situata emergjente.























