Kuvendi i Rahovecit miraton deklaratën kundër aktgjykimit të Speciales
Sh.Ç/RTKlive
Kuvendi i Komunës së Rahovecit ka miratuar një deklaratë përmes së cilës ka shprehur kundërshtimin ndaj aktgjykimit të shkallës së parë të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi.
Në deklaratën e miratuar në mbledhjen e mbajtur sot, Kuvendi i Rahovecit e ka cilësuar aktgjykimin si të papranueshëm, duke thënë se ai prek ndjenjën e drejtësisë dhe kujtesën e popullit të Kosovës.
Në deklaratë përmenden edhe rastet e Sali Mustafës dhe Pjetër Shalës, për të cilët Kuvendi shprehet se janë dënuar padrejtësisht.
“Kujtesa jonë dhe ballafaqimi me padrejtësinë lidhet edhe me dënimin e padrejtë e të papranueshëm të Sali Mustafës dhe të Pjetër Shalës”, thuhet në deklaratë.
Kuvendi ka deklaruar se kundërshton çdo përpjekje për të barazuar agresorin me viktimën, ndërsa ka shprehur solidaritet me familjet e ish-krerëve të UÇK-së dhe të gjithë personat që, sipas deklaratës, e kanë përjetuar këtë proces me dhimbje dhe shqetësim.
Në deklaratë thuhet se “beteja për drejtësi vazhdon” dhe se e vërteta do të kërkohet përmes mjeteve demokratike.























