Kuvendi i Vitisë kundërshton aktgjykimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së
Sh.Ç/RTKlive
Kuvendi i Komunës së Vitisë ka miratuar të enjten një deklaratë përmes së cilës shpreh mospajtimin me aktgjykimin e shkallës së parë të Dhomave të Specializuara të Kosovës ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi.
Në deklaratë, Kuvendi i Vitisë thekson se e respekton pavarësinë e gjyqësorit, por shpreh “mospajtimin e thellë” me vendimin e shpallur më 16 shtator 2026.
Sipas Kuvendit, përgjegjësia penale individuale duhet të mbështetet në prova të qarta, konkrete dhe bindëse, të mjaftueshme për të përmbushur standardin e provës përtej dyshimit të arsyeshëm.
Kuvendi shpreh shqetësimin se përgjegjësia individuale nuk duhet të ndërtohet mbi supozime, përgjithësime, dëshmi të tërthorta apo mbi lidhjet që mund të jenë nxjerrë nga pozitat politike dhe ushtarake që të akuzuarit kanë mbajtur gjatë luftës.
Në deklaratë thuhet gjithashtu se Trupi Gjykues ka dhënë pafajësi për akuzat për krime kundër njerëzimit, duke konstatuar se Prokuroria nuk kishte provuar përtej dyshimit të arsyeshëm ekzistencën e një sulmi të përhapur ose sistematik kundër popullatës civile. Kuvendi i referohet edhe pafajësive të dhëna për një numër incidentesh të tjera të pretenduara.
Kuvendi i Komunës së Vitisë ka shprehur solidaritet me familjet e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, si dhe me personat që, sipas deklaratës, e kanë përjetuar këtë proces me dhimbje dhe shqetësim.
Në mesin e kërkesave të paraqitura në deklaratë janë mbështetja e përpjekjeve institucionale për mbrojtjen dhe dokumentimin e asaj që Kuvendi e konsideron të vërtetën historike për luftën e Kosovës, trajtimi me drejtësi i krimeve të kryera ndaj popullsisë civile dhe ndjekja e të gjitha mjeteve juridike në dispozicion për katër ish-krerët e UÇK-së.
Në fund të deklaratës, duke iu referuar formulimit “Në emër të popullit të Kosovës”, me të cilin është shpallur vendimi, Kuvendi i Vitisë përcjell mesazhin: “JO NË EMRIN TIM!”
Sipas Kuvendit, ky qëndrim shpreh mospajtimin me dënimin e shqiptuar dhe mbështet të drejtën për kërkimin e drejtësisë dhe trajtimit të drejtë për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin.























