Shtëpia e Ymer Elshanit bëhet muze, ruhet trashëgimia e shkrimtarit/Video
BKT
Kosovë

Shtëpia e Ymer Elshanit bëhet muze, ruhet trashëgimia e shkrimtarit/Video

Besjana Mulaj/RTK

Shtëpia ku jetoi dhe krijoi poeti për fëmijë, Ymer Elshani, pas më shumë se dy dekadash është restauruar dhe shndërruar në shtëpi-muze.

Objekti ka ruajtur rreth 95 për qind të elementeve origjinale, ndërsa fotografitë, librat, dorëshkrimet dhe objektet personale dëshmojnë për jetën dhe krijimtarinë e shkrimtarit.

Vajza e Ymer Elshanit, Teuta Elshani, thotë se pjesa më e madhe e shtëpisë është ruajtur në gjendjen origjinale.

“95 për qind e shtëpisë është ruajtur ashtu siç ka qenë, është origjinale. Ajo që është më e mira e këtij projekti është përforcimi i shtëpisë. Këtu janë të ruajtura të gjithë librat që shkrimtari i kishte shkruar dhe blerë gjatë jetës, por janë të paekspozuara edhe dorëshkrimet”, ka thënë Elshani.

Shtëpia ruan edhe gjurmë nga periudhat më të vështira të jetës së shkrimtarit. Pas largimit me dhunë nga sistemi arsimor, Ymer Elshani kaloi pesë vjet pa punë. Për të siguruar jetesën e familjes, ai iu kthye bujqësisë.

Traktori i ruajtur në oborrin e shtëpisë është një nga dëshmitë e asaj periudhe.

Për figurën e Ymer Elshanit dhe rolin e tij si mësues e krijues ka folur edhe ish-nxënësi i tij, Izet Abdyli.

“Ai gjithmonë ka pasur një takt pedagogjik dhe shumë miqësor me njerëz, pavarësisht gjeneratave, dhe këtë dashuri e ka shpërfaqur edhe në veprat e tij. Prandaj, shumë prej tyre janë realizuar edhe në skeçe të ndryshme”, ka thënë Abdyli.

Shtëpia e restauruar e shkrimtarit është shpallur shtëpi-muze nga Ministria e Kulturës. Ajo synon të shërbejë si një qendër e gjallë kulturore, duke ruajtur frymën krijuese të Ymer Elshanit dhe duke e afruar trashëgiminë e tij me brezat e rinj.


MË SHUME NGA Kosovë