Në Ferizaj është shënuar Dita e Dëshmorëve me “Marshin për Çlirimtarët”
Driton Ramadani/RTK
Ferizaj ka përkujtuar sot Dëshmorët e Kombit, në 28-vjetorin e Epopesë së Jezercit. Në shenjë nderimi për nëntë dëshmorët e rënë, janë zhvilluar homazhe në varrezat e dëshmorëve, ndërsa aktiviteti është shoqëruar edhe me marshin në përkrahje të ish-krerëve të UÇK-së, që po gjykohen në Hagë.
Me “Marshin për Çlirimtarët” në përkrahje të ish krerëve të UÇK-së, në Ferizaj sot është shënuar dita e Dëshmorëve.
Me këtë rast është përkujtuar 28 vjetori i Epopesë së Jezercit dhe rënia në altarin e lirës të 9 dëshmorëve të kombit.
Në nderim të tyre dhe të të gjithë të rënëve, janë bërë edhe homazhe tek varrezat e Dëshmorëve.
“Padrejtësisht, kundër së vërtetës historike, po mbahen peng heronjtë tonë, po mbahet peng një popull që deshi e luftoi për lirinë, ranë dëshmorë e martirë e me gjak shndriten emrin e Kosovës së lirë”, tha Agim Aliu, kryetar i Ferizajt.
“Ne po protestojmë, po kërkojmë lirimin e bashkëluftëtarëve tonë, po kërkojmë dinjitetin dhe lirinë ta kemi ashtu siç e kishim në vijat e frontit ushtarak”, tha Shukri Buja, ish komandant i Zonës Operative të Nerodimës.
Aktiviteti përkujtimor u përmbyll me një program artistik, si dhe me homazhe tek varri i gjenerallejtënant, Imri Ilazi me rastin e dyvjetorit të ndarjes nga jeta.























