Podujeva nis aktivitetet për Tetorin Rozë
BKT
Kosovë

Podujeva nis aktivitetet për Tetorin Rozë

Sh.G|RTKlive

Komuna e Podujevës ka nisur aktivitetet në kuadër të Tetorit Rozë, muajit të ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit.

Aktiviteti i parë simbolik është zhvilluar në objektin e administratës komunale, ku kryetari i Komunës, Shpejtim Bulliqi, nënkryetari Fahri Restelica dhe drejtoresha për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, Lirie Hoti-Rama, kanë shpërndarë fjongo rozë, simbol i fushatës për ndërgjegjësimin ndaj kancerit të gjirit.

Në një videomesazh, kryetari Bulliqi u ka bërë thirrje grave dhe vajzave që t’i kushtojnë më shumë vëmendje shëndetit dhe kontrolleve të rregullta.

“Çdo grua meriton kujdes, mbështetje dhe qasje në shërbimet cilësore shëndetësore. Në këtë Tetor Rozë, si Komunë e Podujevës duam të përcjellim një mesazh të thjeshtë, por shumë të rëndësishëm: të kujdesemi për shëndetin para se të jetë vonë. Prandaj, ju ftoj të informoheni dhe t’i kushtoni rëndësi kontrolleve të rregullta”, ka thënë Bulliqi.

Edhe drejtoresha për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, Lirie Hoti-Rama, ka apeluar te gratë që të kryejnë kontrolle parandaluese dhe të inkurajojnë edhe të tjerat për të bërë të njëjtën gjë.

“Kontrollet parandaluese janë një hap i rëndësishëm i mbrojtjes së jetës dhe mirëqenies suaj. Andaj, kontrollohuni, kujdesuni për veten dhe inkurajoni edhe të tjerat ta bëjnë të njëjtën gjë”, ka deklaruar Hoti-Rama.

Ndërkaq, ushtruesja e detyrës së drejtoreshës së Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) në Podujevë, Venera Muçolli, ka theksuar se institucionet shëndetësore janë në dispozicion të qytetarëve për informim, këshilla dhe shërbime shëndetësore.

“Mos i shtyni vizitat për nesër, sepse me hapa të vegjël mund të parandalojmë të këqija të mëdha”, ka thënë Muçolli.

Tetori shënohet në mbarë botën si muaji i ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit, me qëllim të rritjes së informimit për parandalimin, zbulimin e hershëm dhe trajtimin e kësaj sëmundjeje.


MË SHUME NGA Kosovë