Pacolli në Romë: Kosova drejt standardeve të BE-së për ujin
BKT
Kosovë

Pacolli në Romë: Kosova drejt standardeve të BE-së për ujin

G.K/RTKlive

Ministrja e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Fitore Pacolli, ka prezantuar në Romë progresin e Kosovës në përafrimin e sektorit të ujit me standardet e Bashkimit Evropian, duke theksuar nevojën për kalimin nga planet në zbatim dhe investime konkrete.

Ministrja Pacolli përmes një postimi në rrjete sociale, ka bërë të ditur se ka marrë pjesë në Romë në Tryezën e Nivelit të Lartë Ministror për ujin dhe përafrimin me direktivat e Bashkimit Evropian, në kuadër të Euro-Mediterranean Water Forum 2026.

Pacolli tha se ka prezantuar progresin e Kosovës në përafrimin e sektorit të ujit me standardet e BE-së, reformat e avancuara dhe sfidat që mbeten.

Ajo theksoi nevojën që nga planet dhe përgatitja e projekteve të kalohet në zbatim dhe investime konkrete, duke forcuar institucionet, monitorimin dhe menaxhimin e ujërave, si dhe sigurinë ujore dhe reziliencën ndaj ndryshimeve klimatike.

“Bashkëpunimi rajonal dhe menaxhimi i ujërave ndërkufitare mbeten pjesë e rëndësishme e këtij procesi”, tha Pacolli. 


MË SHUME NGA Kosovë