Në Prishtinë promovohet fushata rajonale për sigurinë rrugore
Zenel Hajrizi/RTK
Fushatat vetëdijesuese për sigurinë rrugore synojnë rritjen e përdorimit të rripit të sigurisë, ulëseve për fëmijë dhe helmetave. Në Prishtinë u mbajt fushata rajonale “Një çast shpëton jetë”, me thirrje për respektimin e rregullave në trafik. Institucionet theksuan se edhe veprimet e vogla mund t`i parandalojnë aksidentet dhe të shpëtojnë jetë. Policia tha se përdorimi i teknologjisë po ndihmon në identifikimin e kundërvajtjeve dhe rritjen e sigurisë në rrugë.
Aplikimi i fushatave vetëdijesuese dhe kërkimi i alternativave për siguri në rrugë ndërlidhet edhe me përdorimin e rripit të sigurisë, ulëseve për fëmijë dhe bartja e helmetave për ngasës të mjeteve tjera motorike. Kështu u tha në fushatën rajonale për siguri rrugore e cila u mbajt në Prishtinë.
“Fushata ka të bëj ë me shtimin e progresit dhe prioritetet për sigurinë në rrugë, në mënyrë që të shpëtojmë jetë duke lansuar ide dhe ofruar alternative për sigurinë rrugore. Kjo fushatë ndërlidhet me çështjen e aplikimit të vendosjes së rripit të sigurisë për ngasës dhe pasagjer, ulëse për fëmijët dhe helmeta për ngasës të mjeteve tjera motorike”, tha Talis Linkaid, zyrtar i Komunitetit ndërkombëtar të transportit .
Zëvendësministri i Infrastrukturës dhe Transportit, Zef Morina, tha se një çast shpëton jetë, duke bërë thirrje të drejtpërdrejtë te të gjithë të reflektojnë.
“Kuptojmë se edhe një veprim i vogël si respektimi i shpejtësisë apo vendosja e rripit të sigurisë apo shmangja e përdorimit të telefonit mund të bëj dallimin në mes jetës a vdekjes”, tha Morina.
Fushata “Një çast shpëton jetë” synon të shërbejë si një moment i rëndësishëm për ndryshim pozitiv në trafik.























