Vishi priti veteranët shqiptarë dhe kroat të luftës në Kroaci
V.Th. /RTKLive
Kryetari i Komunës së Kaçanikut, Sabedin Vishi, së bashku me përfaqësues të Organizatave të dala nga lufta e UÇK-së – dega në Kaçanik, priti në takim një delegacion të veteranëve shqiptarë dhe kroat që morën pjesë në luftën në Kroaci.
Ata u përfaqësuan nga Tomë Kaqinari Kryetar i Bashkësisë së Shoqatave Vullnetare të Luftës në Kroaci, Esat Çollaku, Kryetar i Unionit të Shqiptarëve Veteranë në Republikën e Kroacisë, si dhe veteranë të tjerë shqiptarë dhe kroat që kishin marrë pjesë në luftën në Kroaci.
Gjatë takimit u diskutua për kontributin e shqiptarëve në luftën në Kroaci, sakrificën e tyre dhe rëndësinë e ruajtjes së kujtesës për kontributin e tyre në periudhat e luftërave çlirimtare.
Kryetari Vishi i falënderoi veteranët për vizitën dhe kontributin e tyre, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit dhe të ruajtjes së vlerave të luftës dhe të historisë së përbashkët.
Në takim u vlerësua gjithashtu roli i organizatave të veteranëve në ruajtjen e kujtesës historike dhe në përcjelljen e këtyre vlerave te brezat e rinj.























