Teknologjia hap horizonte të reja për personat e verbër
BKT
Kosovë

Teknologjia hap horizonte të reja për personat e verbër

Besjana Mulaj/ RTK

Teknologjia po thyen barrierat e errësirës për qindra qytetarë që nuk shohin. Gjuha shqipe tashmë do ta ketë edhe sintezën e saj vokale për t`u ardhur në ndihmë personave të verbër. Ky projekt u bë publik gjatë konferencës për shënimin e Javës Ndërkombëtare të të Verbërve. Përveç leximit me zë, Ministria e Arsimit paralajmëroi edhe funksionalizimin e licencave për skanerët digjitalë.

Një krah për t’u mbajtur dhe një vullnet i palëkundur mjaftojnë për ta sfiduar errësirën dhe për të ecur lirshëm drejt së ardhmes.

Për personat që nuk shikojnë në Kosovë, mungesa e literaturës në shkrimin Braille mbetet një nga barrierat kryesore në arsimim. Megjithatë, kur mbështetja e institucioneve mungon, është familja ajo që bëhet dritë. Falë kësaj përkrahjeje, sot ky komunitet numëron profesionistë të zotë që kanë thyer çdo paragjykim.

“Jam jurist e diplomuar në UP, ka pas edhe student të tjerë të verbër ose pjesërisht të verbër kanë qenë sfida të ndryshme por me kalimin e viteve kanë filluar të përmirësohen, por vështirësitë janë të  pashmangshme, tani jam zyrtare punoj me palë në komunën e Prishtinës”, tha Felona Bajrami.

Nevoja për shërbime më të qasshme dhe jetë të pavarur i bën këta qytetarë aktivë në çdo nismë. Në konferencën e organizuar për nder të Javës Ndërkombëtare të Njeriut me Shkop të Bardhë, u kërkua që barazia të mos mbetet vetëm një parullë, por një obligim i përhershëm shtetëror.

Hapat e parë drejt integrimit kanë nisur të prekin terrenin. Përgjatë periudhës dyvjeçare 2024-2026, janë shtypur mbi dy mijë kopje dokumentesh, ligjesh dhe politikash në shkrimin Braille, duke u  ardhur në ndihmë mbi 800 personave. Krahas kësaj, një dritare e re po hapet përmes teknologjisë ndihmëse. Zhvillimi i sintezës vokale në gjuhën shqipe nga Ministria e Arsimit, si dhe funksionalizimi i licencave për skanerët digjitalë, pritet t’ua lehtësojë ndjeshëm qasjen në informacion personave që nuk shikojnë, duke i afruar ata më pranë pavarësisë totale.


MË SHUME NGA Kosovë