52 të dënuar në Dubravë ndjekin programe të risocializimit
BKT
Kosovë

52 të dënuar në Dubravë ndjekin programe të risocializimit

V.Th / RTKLive

52 të dënuar në Qendrën Korrektuese në Dubravë janë përfshirë në programe të risocializimit, që synojnë zhvillimin e aftësive personale dhe sociale, menaxhimin e sjelljeve dhe përgatitjen për riintegrim në shoqëri pas lirimit.

Sipas Shërbimit Korrektues të Kosovës, në mesin e programeve të zbatuara është edhe “Programi Kombëtar për Trajtimin e Kryerësve të Dhunës ndaj Grave”, i cili zgjat gjashtë muaj dhe bazohet në modelin Duluth. Ky program synon ndryshimin e modeleve të mendimit dhe sjelljes, si dhe marrjen e përgjegjësisë për sjelljet e dhunshme.

Të dënuarit ndjekin gjithashtu programin “Menaxhimi i Zemërimit”, përmes të cilit mësojnë të kontrollojnë emocionet dhe impulset, të përballojnë konfliktet në mënyrë konstruktive dhe të zhvillojnë aftësi më të mira komunikimi.

Një tjetër program është “Vendimmarrja Sociale”, i cili synon zhvillimin e mendimit kritik dhe aftësive për marrjen e vendimeve të përgjegjshme, duke vlerësuar alternativat dhe pasojat e tyre.

SHKK-ja ka bërë të ditur se programet zbatohen nga stafi profesional, me synimin për të mbështetur rehabilitimin, përgjegjësinë personale dhe riintegrimin e qëndrueshëm të të dënuarve në shoqëri pas lirimit.


MË SHUME NGA Kosovë