MAPL diskuton digjitalizimin e shërbimeve dhe zhvillimin e qyteteve të mençura
V.Th / RTKLive
Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, në bashkëpunim me OSBE-në, DEMOS-in dhe Këshillin e Evropës, ka diskutuar për avancimin e shërbimeve digjitale në komuna dhe modernizimin e administratës lokale.
Në takimin me Kolegjiumin e IT-së në komuna morën pjesë edhe përfaqësues të institucioneve akademike, përfshirë Universitetin për Biznes dhe Teknologji (UBT), si dhe të organizatave të shoqërisë civile, përfshirë ITP Prizren.
Sipas MAPL-së, diskutimet u përqendruan në digjitalizimin e shërbimeve komunale, zhvillimin e qyteteve të mençura, integrimin e sistemeve dhe përdorimin e teknologjive moderne për rritjen e efikasitetit dhe transparencës institucionale.
Gjatë takimit u theksua rëndësia e teknologjisë për thjeshtimin e procedurave administrative dhe lehtësimin e qasjes së qytetarëve në shërbimet publike.
Po ashtu, u diskutua për rolin e Kolegjiumit të IT-së në shkëmbimin e përvojave profesionale, identifikimin e sfidave dhe koordinimin e iniciativave për transformimin digjital.
MAPL-ja bëri të ditur se do të vazhdojë bashkëpunimin me komunat, institucionet akademike dhe partnerët ndërkombëtarë për avancimin e Objektivit Strategjik 4, që synon digjitalizimin, inovacionin dhe modernizimin e administratës lokale.























