Kuvendi i Komunës mban mbledhjen e rregullt për vitin 2026
Sh.G|RTKlive
Kuvendi i Komunës së Kaçanikut ka mbajtur mbledhjen e nëntë të rregullt për vitin 2026. Mbledhjen e kryesoi kryesuesi i Kuvendit Komunal Selajdin Troni, ndërsa të pranishëm ishin edhe kryetari i Komunës Sabedin Vishi, nënkryetari Xhelal Dema, si dhe përfaqësues të stafit ekzekutiv.
Fillimisht, anëtarët e Kuvendit Komunal u informuan lidhur me Raportin nëntëmujor financiar për periudhën 1 janar – 30 shtator 2026.
Me shumicë votash, u miratuan Propozimvendimi për formimin e Komisionit për zgjedhjen e këshillave lokale, si dhe Plani Komunal për riintegrimin e qëndrueshëm të personave të riatdhesuar dhe integrimin e të huajve në Komunën e Kaçanikut.
Me miratimin e të gjitha grupeve përfaqësuese në Kuvendin Komunal, si pikë shtesë e rendit të ditës u përfshi edhe trajtimi i problemit të furnizimit me ujë të pijshëm në Komunën e Kaçanikut.
Lidhur me këtë çështje, kryetari i Komunës Sabedin Vishi, njoftoi se pas takimeve të organizuara me përfaqësuesit e kompanisë Bifurkacioni me iniciativën e institucioneve komunale, Komuna ka marrë përsipër realizimin e obligimeve që kanë dalë nga këto takime, përfshirë vendosjen e pompave, hapjen e puseve të reja dhe ndërtimin e rezervuarëve për rritjen e kapaciteteve të furnizimit me ujë.
Kryetari Vishi kërkoi gjithashtu menaxhim më të mirë nga kompania përgjegjëse për furnizimin me ujë të pijshëm në Kaçanik, me qëllim të përmirësimit të gjendjes dhe sigurimit të furnizimit të rregullt për qytetarët.
Ndërkaq, anëtarët e Kuvendit Komunal kërkuan që ky problem të zgjidhet sa më shpejt, në mënyrë që qytetarët e Kaçanikut të kenë furnizim të qëndrueshëm me ujë të pijshëm në shtëpitë e tyre.























