Një muaj arrest shtëpiak për të dyshuarin në rastin e 48 parcelave pronësore
G.K/RTKlive
Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar masën e arrestit shtëpiak prej një muaji ndaj të pandehurit M.B., i dyshuar për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar, në rastin që lidhet me kalimin e dyshuar të kundërligjshëm të pronave publike në pronësi private.
Gjykata ka refuzuar si të pabazuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë për caktimin e paraburgimit ndaj të pandehurit, duke vendosur masën e arrestit shtëpiak.
Sipas njoftimit, gjyqtari i procedurës paraprake, pas mbajtjes së seancës dëgjimore, ka vlerësuar se kjo masë është e mjaftueshme për të parandaluar përsëritjen e veprës penale dhe për të siguruar zhvillimin e papenguar të procedurës.
Gjykata ka obliguar Stacionin Policor në Lipjan të mbikëqyrë zbatimin e masës dhe ta njoftojë menjëherë gjykatën për çdo shkelje eventuale.
“Nëse i pandehuri nuk e respekton këtë aktvendim, Gjykata masën e arrestit shtëpiak do ta zëvendësoj me masën e paraburgimit”, thuhet në njoftimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë.
I pandehuri M.B. dyshohet se gjatë vitit 2023, në cilësinë e personit përgjegjës për arkivin në Depon e Arkivit Ndërkomunal të Prishtinës, ka tejkaluar kompetencat dhe nuk ka përmbushur detyrat zyrtare lidhur me verifikimin e autenticitetit të dokumentacionit arkivor.
“Ekziston dyshimi se i pandehuri M.B., me qëllim të mundësimit të përfitimit të kundërligjshëm të të drejtave pronësore për personin tjetër me inicialet N.J., i cili aktualisht gjendet në arrati, ka ndihmuar në përdorimin e dokumenteve publike të falsifikuara, duke mundësuar që prona publike në mënyrë të kundërligjshme të kalojë në emër dhe posedim të personit N.J.”, kishte njoftuar Prokuroria.
Në kuadër të hetimeve, Prokuroria ka urdhëruar ndalimin e përkohshëm të 48 parcelave pronësore, vlera e të cilave dyshohet të arrijë në miliona euro.
Palët kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit të Kosovës.























