Garat ilegale, policia parandalon dy raste / Video
Hysni Demaku / RTK
Garat ilegale me vetura po vazhdojnë të paraqesin rrezik në autostradat e Kosovës. Pjesëmarrësit janë kryesisht të rinj, ndërsa Policia e Kosovës po angazhohet për parandalimin e kësaj dukurie. Gjatë një aksioni të realizuar mbrëmjen e kaluar, me ndihmën e veturave inteligjente, policia parandaloi dy gara që ishin planifikuar të zhvilloheshin në autostradë. Për rrezikun e këtyre garave dhe angazhimin policor, sjellim storien në vazhdim.
Autostradat dhe rrugët e Kosovës, të ndërtuara për qarkullim të sigurt, po shfrytëzohen nga grupe të të rinjve edhe për gara ilegale me vetura.
Pasojat e shpejtësisë së papërshtatshme mund të jenë fatale.
Ky aksident, që ndodhi pak ditë më parë në Trudë të Podujevës, ka rikthyer vëmendjen te rreziku I garave ilegale. Kjo zonë është një nga lokacionet që shfrytëzohet për gara të tilla.
“Tash jemi afër lokacionit ku e morëm informatën që dyshohet se disa pjesëmarrës janë mbledhur për me bërë gara ilegale atje”, ka thënë zyrtari policor.
Policia e Kosovës është vazhdimisht e angazhuar në parandalimin e kësaj dukurie. Përmes njësive të specializuara dhe veturave inteligjente, ajo po punon në identifikimin dhe ndalimin e personave që organizojnë apo marrin pjesë në gara ilegale.
Shumë vetura të modifikuara të cilat kishin planifikuar që të zhvillojnë gara, por janë njësitë e policisë me pajisje inteligjente të cilat kanë parandaluar pra edhe një garë tjetër e cila ishte planifikuar të zhvillohej.
“Po ne e kemi ndaluar këtë veturën, ne kemi pasur informacione se këta dyshohen që kanë mbajtur gara ilegale. Të njëjtit i kemi identifikuar, i kemi verifikuar dhe njëri rezulton se e ka patentë-shoferin e konfiskuar në sistem për arsye që ka mbajtur gara ilegale”, tha Zyrtari policor (në terren).
Për identifikimin dhe dokumentimin e rasteve, policia po shfrytëzon edhe teknologjinë e avancuar inteligjente.
“Po, Policia e Kosovës tashmë e ka bërë planin operativ për gara ilegale. Tashmë jemi caktuar nëpër kohë dhe lokacione të ndryshme ku dyshohet që bëhen gara ilegale. Po e shihni që është një mobilizim shumë i madh i njësive policore për parandalimin e garave ilegale dhe për një siguri të pjesëmarrësve në trafik”, deklaroi Zyrtari policor.
Përtej shpejtësisë dhe adrenalinës, garat ilegale përbëjnë një kërcënim serioz për sigurinë në trafik.























