IHMK paralajmëron temperatura deri në -13 gradë dhe ngrica në gjithë Kosovën
BKT
Kosovë

IHMK paralajmëron temperatura deri në -13 gradë dhe ngrica në gjithë Kosovën

V. Th. / RTKLive

Kosova do të vazhdojë të jetë nën ndikimin e masave të ftohta ajrore, me temperatura të ulëta, ngrica të shpeshta dhe mbajtje të shtresës së borës gjatë ditëve të para të dhjetorit.

Sipas parashikimit pesëditor të Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës (IHMK), për periudhën 30 nëntor – 4 dhjetor, temperaturat minimale do të lëvizin nga -7 deri në -13 gradë Celsius, ndërsa ato maksimale nga -4 deri në 3 gradë.

Moti do të karakterizohet me vranësira të ndryshueshme dhe intervale me diell, ndërsa mëngjeset e së martës, së mërkurës dhe së enjtes pritet të jenë veçanërisht të ftohta.

IHMK paralajmëron se temperaturat negative do të favorizojnë krijimin e ngricave në të gjitha rajonet e vendit, ndërsa ngrirja e borës mund të shkaktojë shtresa akulli në rrugë.

Rreziku nga ngricat pritet të jetë më i theksuar gjatë natës dhe në orët e hershme të mëngjesit, veçanërisht në zonat malore, në ura dhe në rrugët me hije.

Të premten parashihet një rritje e lehtë e temperaturave maksimale, të cilat në disa zona mund të arrijnë deri në 3 gradë Celsius, por kjo nuk pritet t'i eliminojë ngricat.

Ndërkaq, në fund të javës së parë të dhjetorit parashihen sërish reshje bore.


MË SHUME NGA Kosovë