Pas dy vjet mungesë, komuna e Kamenicës pritet të bëhet me noterë
Ka gati dy vjet që komuna e Kamenicës nuk ka asnjë noter. Qytetarët e Kamenicës dhe fshatrave përreth, janë të detyruar që të udhëtojnë në Gjilan për të rregulluar çështjet për të cilat u duhet noteri. Në Ministri të Drejtësisë thonë se kanë hapur konkursin për noter dhe në dy muajt e ardhshëm pritet që të gjitha komunat të kenë noterin ashtu siç e parasheh ligji.
Rreth 30 mijë banorë në komunën e Kamenicës po përballën me mungesën e noterit që një vit e gjysmë.
Kjo komunë, ani pse me numër të madh të banorëve, e kishte vetëm një noter, por i njëjti ka ndërruar jetë.
Që nga ajo kohë, nuk është gjetur zëvendësimi, gjë që i ka ngarkuar banorët e kësaj komune.
Rruga deri në Gjilan, e që po u duhet ta përshkojnë shpesh, banorëve të fshatrave të komunës së Kamenicës po u sjell mjaft vështirësi.
Megjithë kushtet e rënda ekonomike, ata duhet të përballën edhe me këtë problem.
Ekipi i KosovaPress-it vizitoi edhe fshatin tjetër, Karaçevën. Aty banorët janë mjaft të mllefosur me faktin që problemet të cilat i adresojnë, rrallë herë gjejnë trajtim.
Ismajl Kastrati, banor i këtij fshati, thotë se përveç përballjes me kushte të rënda ekonomike, janë të harruar edhe nga institucionet dhe politikanët.
Ditë më parë, banorët e këtij fshati i drejtuan një shkresë ministrit të Drejtësisë, prej të cilit kërkonin që të merrte parasysh problemet me të cilat po përballeshin banorët në mungesë të noterit.
Selver Lenjani, kryetar i fshatit të Karaçevës, thotë për KosovaPress, se Kamenica duhet të ketë së paku tre noter, për shkak të numrit të madh të banorëve që ka.
Në Republikën e Kosovës shumë komuna janë me numër të vogël të noterëve, e disa nuk kanë fare.
Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri qysh në fillim të mandatit kishte proceduar në Kuvendin e Kosovës ligjin për noteri, ku kishte bërë disa ndryshime, përfshirë edhe numërin e noterëve.
Më herët parashihej që të jetë 1 noter në 20 mijë banorë, ndërsa me ligjin e ri do të jetë 1 noter në 10 mijë banorë.
Ministria e Drejtësisë hapi konkursin për noterë dy ditë më parë, dhe pritet që brenda dy muajsh komunat të bëhen me noterë konform ligjit.
Ministri i Drejtësisë, Ableard Tahiri thotë se çdo komunë do të ketë numër të mjaftueshëm të noterëve.
Konkursi për noter është sipas formues së re, 1 noterë në 10 mijë banorë.
Mungesa aktuale e noterëve është shqetësues edhe për kryetarin e Kamenicës.
Qëndron Kastrati thotë për KosovaPress se kjo komunë duhet t’i së paku tre noterë, marrë parasysh numrin e banorëve.
Përveç banorëve të komunës së Kamenicës, me mungesë të noterëve po përballen edhe komuna e Skënderajt dhe ajo e Istogut.























