Zyrtarët e Komunës së Prizrenit, lënë punën, vijnë në protestë në Prishtinë
Muharrem Saragjolli, Radio Kosova
Zyrtarët e Komunës së Prizrenit në ditën e protestës sot në Prishtinë, nuk ishin të qasshëm për qytetarë e as për gazetarë. Edhe pse koha e pauzës fillon nga ora 12, shumë zyrtarë e drejtorë nuk ishin në zyre as rreth orës 11.
Gazetari i Radio Kosovës kishte shkuar në zyre të drejtorit të Inspektoratit, Islam Thaçi për të marrë një prononcim në pyetjen: "Pse qe shumë muaj nuk ekzekutohet vendimi për lirimin e hapësirës së uzurpuar nga një biznes?", por ai nuk ishte në zyre. E asistentja e tij tha që drejtori nuk kthehet sot në punë.
Në zyre nuk ishte as drejtori i drejtorisë për Urbanizëm dhe Planifikim Hapësinor, Fatmir Memaj, për të dhënë përgjigje në pyetjen: "Në bazë të cilit ligj, hapësirën e dedikuar për lojëra fëmijësh, e ka dhënë në shfrytëzim një restorani për tavolina, edhe pse janë dorëzuar nënshkrimet e banorëve që e refuzojnë këtë gjë?".
Memaj përmes telefonit tha se ndodhet në Prishtinë dhe nuk kthehet sot në zyre. Kur e pyetëm me çfarë detyre ndodhet në Prishtinë në orar të punës, ai tha “për qejf”.
Është kjo hera e dytë që drejtori Memaj i ik përgjigjes në këtë pyetje. Për të mësuar se çka po ndodhë me stafin e Komunës dhe se a respektohet orari i punës në Komunën e Prizrenit, kërkuam takim me kryetarin Haskuka. Por, nga zyra e tij, thanë se kryetari Haskuka ndodhet në Prishtinë në protestë. Tentuam të marrim një prononcim edhe përmes telefonit nga kryetari Haskuka, por ai nuk ishte i qasshëm, edhe pse pyetjet i dërguam me mesazh. Në Komunën e Prizrenit, as në zyrën për informim nuk ishte askush.
Po ashtu shumë qytetarë treguan se jo vetëm sot, por edhe ditëve tjera, e zakonisht të premteve, qoftë inspektorati, qoftë drejtorët nuk janë në vendet e tyre të punës. Ata shprehën zhgënjimin në punën e qeverisë aktuale të Prizrenit të udhëhequr nga Vetëvendosja, e posaçërisht ndaj punës së inspektorëve dhe drejtorisë për Urbanizëm.























