Obiliqi grumbulloi të holla për familjet skamnore
Komuna e Obiliqit, në bashkëpunim me shoqatën humanitare "Ndihmo edhe ti", organizuan gala mbrëmjen humanitare e cila kishte për qëllim mbledhjen e ndihmave financiare që do të dhurohen për familjet skamnore të Komunës së Obiliqit.
Të pranishëm në këtë mbrëmje humanitare ishin kryetari i Komunës, Xhafer Gashi, ministri i MPMS-së, Skënder Reçica, nënkryetari i Komunës, Ibush Mjekiqi, kryesuesi i Kuvendit, Burim Gërguri, asambleistë, drejtorë ekzekutivë dhe përfaqësues të bizneseve në transmetim të drejtpërdrejt në RTK 1 në ambientet e Hotel “Onix Palace” në Obiliq.
Thirrjes për ndihmë humanitare iu bashkëngjiten edhe të pranishmit, me këtë rast kryetari i Komunës, Xhafer Gashi, dhuroi pagën e tij mujore prej 1200 euro.
Ministri i MPMS-së, Skënder Reçica dhuroi 500€.
Asambleistet e Kuvendit të Komunës së Obiliqit, Labinot Mirena, Shaip Paloja, Fatmir Bekteshi dhuruan pagën e tyre si asamblistë, kryesuesi i Kuvendit, Burim Gërguri, dhuroi vlerën prej 200€, të njëjtën shumë prej 200€ dhuroi nënkryetari Ibush Mjekiqi, pagën e tij mujore e dhuroi edhe asistenti i kryetarit, Gëzim Gashi.
Të gjithë të pranishmit dhuruan ndihma financiare, ku dëshmuan humanitetin dhe u solidarizuan me familjet skamnore të Obiliqit.
Me këtë rast, kryetari Gashi falënderoi të gjithë të pranishmit, përfaqësuesit e bizneseve të komunës, diasporën shqiptare, artistët që ishin prezent , RTK 1 , Hotel “Onix Palace” dhe të gjithë qytetarët për kontributin e tyre të çmuar në dhurimin e mjeteve financiare për familjet në nevojë.
Në fund të mbrëmjes, shoqata humanitare "Ndihmo edhe Ti" për kontributin humanitar të treguar ndër vite ndau mirënjohje për kryetarin e Komunës, Xhafer Gashi.























