Heronjtë Rasim Kiçina dhe Bedri Shala, sinonim të luftës për liri
Qytetit të Drenasit iu shtuan dhe dy shtatore të dy heronjve. Në sheshin “Fehmi Lladrovci” u përuruan shtatoret e Rasim Kiçinës dhe Bedri Shalës. Që të dy u cilësuan si sinonim i lirisë së Kosovës.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi nën patronazhin e të cilit është bërë ky organizim, tha se dy heronjtë Rasim Kiçina dhe Bedri Shala dhanë gjithçka për lirinë e Kosovës dhe se ata janë sinonim i lirisë.
I pari i shtetit theksoi nevojën dhe të ndëshkimit të gjenocidit dhe krimeve serbe në Kosovë.
“Shtatorët e heronjve të Kosovës do të qëndrojnë me sheshin Fehmi Lladrovci pranë heronjve të kombit. Këta dy heronj përfaqësojnë figurat tipike të UÇK-së. Të dy i ka bashkuar lufta e drejt e UÇK-së dhe ideali për bashkim kombëtar. Rasimi dhe Bedriu ishin sinonim i luftës për liri dhe çlirimit të Kosovës. Ende me plagët e luftës të cilat nuk janë shëruar, shteti i Serbisë ushtroi gjenocid dhe masakra anë e kënd Kosovës. Krimi dhe gjenocidi i Serbisë nuk është ndëshkuar, por nuk do të vjetrohet kurrë”, tha Thaçi.
Ndërkaq, kryetari i komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci duke përmendur rolin e Rasim Kiçinës dhe Bedri Shalës gjatë luftës në Kosovë tha se këta janë dy kolosë të lirisë së Kosovës.
Ndërsa, për kryetarin e shoqatave të OVL UÇK-së, Hysni Gucati, themelet e ndërtimit të shtetit janë bërë nga dëshmorët e kombit.
Në emër të dy familjeve të heronjve, Xheladin Shala tha se këta heronj janë bashkuar në shesh për t’i bërë roje atdheut.























