Moszgjidhja e statusit të zjarrfikësve, sfida kryesore ndër vite
Zjarrfikësit në kryeqytet, po përballen me mungesë të stafit profesional. Për shkak të kushteve të rënda të punës shumë prej tyre janë detyruar që ta lënë punën. Kështu thotë për Radio Kosovën kryetari i brigadës së zjarrfikësve të Prishtinës, Latif Zeka.
Moszgjidhja e statusit të zjarrfikësve në nivel vendi, si dhe objektet jo adekuate për funksionalizimin e këtij shërbimi, mbeten sfidë që po e përcjellin këtë kategori të sigurisë ndër vite.
Megjithë kushtet jo të favorshme në të cilat punojnë zjarrfikësit e kryeqytetit, në këtë periudhë të vitit ata kanë intervenuar në 350 raste. Kryetari i Brigadës së zjarrfikësve në komunën e Prishtinës, Latif Zeka, thotë për Radio Kosovën, se edhe gjatë sezonit të dimrit kanë qenë të angazhuar shumë, duke potencuar se në muajin mars, ka pasur raste të shpeshta të zjarreve. Ai thotë, se në punën e tyre janë të rrezikuar çdo ditë, dhe kjo po bënë, që të kenë problem me stafin profesionist, për shkak shumë zjarrfikës po e lënë punën.
“Kemi pas mbi 350 intervenime, por me ketë kapacitet, jemi të përgatitur që të presin në të ardhmen se çfarë po ndodh. Kemi problem me stafin sepse vetëm po vjen duke u zvogëluar numri i punëtorëve. Përndryshe, nuk i plotësojmë kriteret aspak, kur dihet se përveç komunës së Prishtinës, e mbulojmë edhe komunën e Fushë Kosovës, Obiliqit e Graçanicës. Gjithsej jemi 103 zjarrfikës dhe me kaq persona që jemi mundohemi që tu dalim në ndihmë qytetarëve aty ku ka nevojë. Rastet më të shpeshta i kemi pasur në banesa, kulm të ndërtesave, aksidente të komunikacionit”, tha Zeka.
Ndërkohë në nivel vendi, sfidë edhe më tutje mbetet, moszgjidhja e statusit të zjarrfikësve. Zjarrfikësit e Kosovës me të gjitha kategoritë buxhetore paga, mëditje dhe subvencione, kanë mbetur në kompetencë të komunave, ndërsa me Ligj, Agjencia e Menaxhimit të Emergjencave, është në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme.
Kështu thotë, drejtori i Departamentit për Zjarrfikje dhe Shpëtim në Agjencinë për Menaxhimin e Emergjencave, Miran Demiri, në një përgjigje me shkrim dhënë Radio Kosovës.
Ai tutje thekson, se sfidë tjetër janë objektet të cilat nuk janë standarde për funksionalizimin e kësaj kategorie të sigurisë. Rreth 5 mijë e 800 raste të zjarreve, janë raportuar në Agjencinë për Menaxhimin e Emergjencave, deri në fund të qershorit, thotë Dema.
Me qëllim të evitimit të rrezikut nga zjarri si dhe mbrojtjes të jetës së qytetarëve, të pronave e mjedisit, Agjencia për Menaxhimin e Emergjencave, u bënë thirrje qytetarëve që të jenë të kujdesshëm dhe të raportojnë zjarret, e nëse është e nevojshme edhe të ndihmojnë në shuarjen e tyre.























