Shala: Në të gjitha komunat e Kosovës të ketë qendra të inovacionit
Ministri në largim i Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, Muzafer Shala dhe kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu, biseduan sot për funksionalizimin më të shpejtë të Qendrës së Inovacionit dhe Ndërmarrësisë në Ferizaj, e para e këtij lloji në vendin tonë, e cila u hap kohë më parë.
Kryetari Aliu tha se takimi me ministrin Shala, konfirmon vullnetin e kësaj ministrie që ta intensifikojë bashkëpunimin me Komunën e Ferizajt.
“Biseduam sesi pikërisht kjo qendër që është e para e hapur nga Ministria e Inovacionit që të shërbejë për startup-e, për të rinjtë dhe të jetë model suksesi, madje të jetë edhe për qendrat e reja që sigurisht janë në agjendë të hapjes. Ajo që është e rëndësishme për të thënë sot është se sërish kemi rikonfirmimin e ministrit Shala që të jetë mbështetës për Qendrën e Inovacionit për të shërbyer si një storie suksesi”, tha i pari i Ferizajt.
Në anën tjetër, ministri Shala tha se hapja e qendrave të tilla, është vizion i institucionit që drejton dhe se Ferizaj, sikurse edhe komunat tjera, do të marrin mbështetje në ngritjen e kapaciteteve dhe operimin përkitazi me këto qendra.
“Ne jemi të interesuar që në të gjitha komunat e Kosovës të kemi qendra të inovacionit që në të ardhmen të jenë pjesë edhe e zhvillimit ekonomik”, tha Shala, duke shtuar se ministria që drejton ka një numër të madh projektesh në fushën e ngritjes së shkathtësive të të rinjve.























