Aliu: 30 për qind e të rinjve të papunë nuk janë në shkollim
Në Prishtinë është prezantuar sot projekti “Fuqizimi dhe aftësimi i të rinjve përmes mundësive të reja”, me qëllim të krijimit të mundësive të reja të punësimit dhe pjesëmarrjes aktive në tregun e punës për 1600 të rinj të margjinalizuar në Kosovë, Shqipëri, BeH, Maqedoni Veriore dhe Serbi.
Në këtë projekt ku përfshihen 1600 të rinj, 300 janë nga Kosova, pjesë e margjinalizuar me të ardhura të ulëta dhe të paaftë për të përmirësuar në mënyrë të pavarur statusin e tyre ekonomik, të cilët i takojnë moshës 16 deri 35-vjeç.
Nezahat Ramadani-Salihu, drejtoreshë e Sos Fshatit, bëri thirrje që të ndihmohen sa më shumë fëmijët e margjinalizuar.
Ylber Aliu, udhëheqës i divizionit për politikat e punësimit në Ministri të Punës dhe Mirëqenies Sociale tha se ky projekt do të ndihmojë për integrimin e të rinjve në tregun e punës.
Në ceremoninë e hapjes së projektit “Fuqizimi dhe aftësimi i të rinjve përmes mundësive të reja – YEEP, organizuar nga Sos Fshatrat e Fëmijëve në Kosovë, u bë e ditur se me këtë projekt synojnë edhe 230 profesionistë, 20 prej tyre janë nga Kosova, nga institucionet publike, organizata jo qeveritare, agjencione punësimi dhe nga sektori privat.
Gjithashtu, u tha se grup tjetër i synuar të përfshihet në projekt janë edhe 3 mijë e 500 të rinj të margjinalizuar, të cilët do të marrin shërbime nga akterët e fuqizuar përmes projektit.
Donatorë të projektit janë Ministria Federale Gjermane për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim dhe Fondi Hermann Gmeiner në Gjermani. Kohëzgjatja e projektit është deri në vitin 2022.























