Komunat vazhdojnë të shkelin Ligjin e Prokurimit Publik

Komunat vazhdojnë të shkelin Ligjin e Prokurimit Publik

Iniciativa për Progres (INPO) dhe Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) kanë organizuar tryezën me temën “Prokurimi – sinonim i korrupsionit”.

Këtu u bë e ditur se nga monitorimi i 160 aktiviteteve të prokurimit nëpër komunat e vendit del se prokurimi publik vazhdon të jetë i cenueshëm duke u zhvilluar me parregullsi në procedura dhe shkelje të Ligjit për Prokurim Publik.

Sipas këtij raporti mosplanifikimi i duhur i vlerave të kontratave publike ka bërë që të janë vonuar procedurat për përfundimin e punëve nga operatorë ekonomik duke u përcjellë edhe me shumë parregulluar në procedura.

“Gjetjet tregojnë se ka shkelje flagrante të Ligjit për Prokurim Publik. Në përgjithësi prokurimi në komunat e vendit është problematik. Mosplanifikimi i duhur vlerave të kontratave ka bërë që të lidhen kontrata që tejkalojnë vlerën e shumës së planifikuar me buxhet ku është rezultuar me vonesa në pagesa duke bërë që operatorët të mos kryejnë punët dhe duke e dëmtuar edhe interesin komunal. Gjithashtu gjetjet tregojnë se zyrtarët e prokurimit aplikojnë kritere diskriminuese karshi operatorëve ekonomikë duke krijuar pabarazi në mes tyre”, tha Albulena Nrecaj, drejtoreshë ekzekutive në “INPO”.

Drejtori ekzekutiv i “IKD”, Ehat Miftaraj tha se fatkeqësisht edhe kur gjatë procedurave të prokurimit bëhen shkelje, prokuroria respektive ka dështuar të trajtojë këto raste si pasojë e mungesës së kapaciteteve të gjykatave.

Ai tha se është koha e fundit që të ndërmerren masa në mënyrë që në raste kur kemi keqpërdorime në aktivitetet e prokurimit keqpërdoruesit të marrin dënimin e duhur, raporton EO.


MË SHUME NGA Nacionale