Mjetet e parapara për aktivitete kulturore në Gjilan, i dedikohen familjes
Kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri sot ka mbajtur një konferencë të jashtëzakonshme pas tragjedisë së djeshme që goditi Shqipërinë.
Ai me këtë rast ka thënë se Gjilani ashtu si Kosova dhe Shqipëria është në zi, pas tërmetit që u mori jetën mbi 30 qytetarëve, në mesin e tyre edhe dy vëllezërve nga Livoçi i Gjilanit.
“Me keqardhje kemi marrë lajmin që si pasojë e tërmetit shkatërrues, dy bashkëqytetarë tonë kanë humb jetën në Durrës dhe tashmë familja Abazi është në zi sic është edhe kombi shqiptar dhe komuna jonë.
Lutemi që Isa dhe Shemsedini si dy njerëz që humbën tjetër në këtë fatkeqësi bashkë me numër të qytetarëve të jenë të fundit nga fatkeqësia dhe shpirti i tyre të bëj dritë.
Ne si komunë solidaritetin tonë i kemi adresu tek familja Abazi duke largu aktivitetin kulturor që kemi paraparë mi mbajt.
Po ashtu falënderoj qytetarët e Gjilanit për solidaritetin që kanë tregu duke dërgu ndihma për banorët e prekur nga tërmeti.
Lutemi që dëmet dhe numri i viktimave të jetë sa më i vogël”, ka thënë Haziri.
Ai ka thënë se deri më tani qytetarët e Gjilanit kanë ofru shtëpitë e tyre për strehim për banorët e prekur nga tërmeti, ndërsa 25 familje janë lajmëru që do të vendosen në këtë komunë. Derisa ka thënë se mjetet financiare që ishin paraparë për manifestimin e festës së flamurit do t’u dedikohen familjes Abazi dhe një pjesë tjetër do të shkojnë në Shqipëri.
“Ne do t’i mirëpresim dhe qytetarët po vazhdojnë të lajmërohen për ndihmë dhe solidaritet.
Unë dje kam kontaktu Edi Ramën për të shpreh shqetësimin, mbështetjen dhe solidaritetin dhe kryeministri shqiptar ka shpreh ngushëllimin për familjen Abazi dhe Gjilanin.
Mjetet e parapara për manifestim do të zhvendosen në shenjë solidariteti për familjen Abazi dhe një pjesë tjetër do të shkojnë në Shqipëri”./Indeksonline/























