Varrosen dy vëllezërit nga Gjilani që humbën jetën në Durrës
Dy vëllezërve nga Gjilani, Isa dhe Shemsi Abazi që humbën jetën nga tërmeti që goditi Shqipërinë mëngjesin e së martës iu është dhënë lamtumira e fundit në varrezat e fshatit Livoç i Epërm.
Hapësira e varrezave në këtë fshat ishte e vogël për gjithë njerëzit që kishin ardhur për t’u përshëndetur për herë të fundit me vëllezërit Abazi, teksa dhe magjistralja Prishtinë-Gjilan, u bllokua nga numri i madh i njerëzve që kishin ardhur.
Në mesin e familjarëve të shumtë, miqve dhe shumë qytetarëve ishte dhe kandidati për kryeministër, Albin Kurti, kryetari i komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri dhe përfaqësues të tjerë politikë në vend.
Përveç pikëllimit dhe lotëve në këtë ceremoni mortore, u theksua nevoja e ndihmës për familjen Abazi.
Shoku i dy vëllezërve, Kujtim Muji me lotë në sy shprehu dhimbjen që ndjen për humbjen e Shemsiut dhe Isës.
E fqinji i afërt i familjes Abazi, Sadri Behluli, tregoi arsyen pse kanë shkuar në Durrës në ditën e tragjedisë dhe vuri në pahë nevojën që kjo familja ka për ndihmën financiare.
Lideri i VV-së, Albin Kurti duke folur për dy vëllezërit Abazi, tha se si shoqëri dhe institucione ka nevojë për ta ndihmuar këtë familje.
Kryetari i komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri tha kontributin e vëllezërve Abazi komuna që drejton do të kujtojë gjithmonë.
E pamja për dy vëllezërit Abazi do të zgjasë pesë ditë, ndërsa tashmë është hapur një xhirollogari për t’i dalë në ndihmë kësaj familje që tragjikisht humbën dy djemtë në tërmetin tragjikë të 26 nëntorit në Shqipëri. Dy vëllezërit Abazi lanë pas vete bashkëshortet me fëmijë.























