Fëmijët nga Shqipëria mund të vijojnë shkollimin në shkollat e kryeqytetit

Fëmijët nga Shqipëria mund të vijojnë shkollimin në shkollat e kryeqytetit

Komuna e Prishtinës, bëri të ditur se fëmijët nga Shqipëria që janë strehuar në Prishtinë pas tërmetit shkatërrues atje, do të mund të vijojnë shkollimin në shkollat e kryeqytetit. Drejtues të Komunës së Prishtinës i thanë Radio Kosovës se deri me tani gjashtë fëmijë janë paraqitur dhe pritet që shumë shpejt të kyçen në procesin mësimor. 

Fëmijëve të familjeve nga Shqipëria që janë strehuar në Prishtinë pas tërmetit shkatërrues atje, do t’u sigurohet vijimi i procesit mësimor në shkollat e kryeqytetit. Drejtoresha e Arsimit në Komunën e Prishtinës, Shpresa Shala, i tha Radio Kosovës se aktualisht janë gjashtë fëmijë nga Shqipëria që janë lajmëruar në shkollat e Prishtinës,  por ende nuk e kanë filluar procesin mësimor.

“Deri më tani kemi vetëm gjashtë raste që janë lajmëruar në disa shkolla të Prishtinës. Por ende këta fëmijë nuk e kanë filluar procesin mësimor. Dhe shumë shpejt pritet që të fillojnë mësimin.” 

Sipas Shalës, fëmijët e strehuar me familjet e tyre në Prishtinë, mësimet do t’i vijojnë në shkollat më të afërta në lagjet ku janë strehuar. 

“ Ne, si komunë ditën e premte kemi njoftuar që fëmijët të cilët vijnë nga Shqipëria në ato lagje ku banojnë,  shkollën më të afërt që e kanë do të mundë të vijojnë mësimin. Vijimin e mësimit këta fëmijë mund ta bëjnë për aq sa kohë do të jenë këtu.”

Edhe Drejtoria e Arsimit e Gjilanit njoftoi se fëmijëve të strehuar nga Shqipëria, do t’u mundësohet mësimi në shkollat e kësaj komune.

Autor: Ardiana Hajzeri, Radio Kosova


MË SHUME NGA Nacionale